Mbrojtësi i kombëtares shqiptare të futbollit, Arlind Ajeti ka dalë në konferencë për mediet nga Dortmundi, ku “kuqezinjtë” po përgatiten për ndeshjen e parë të EURO 2024 atë ndaj Italisë, që zhvillohet më 15 qershor në “Signal Iduna Park”.
Ajeti deklaroi se pjesëmarrja në Europian si për herë të parë ashtu edhe për të dytën herë jep shumë emocione.
Mbrojtësi 30-vjeçar theksoi se do japin maksimumin për çdo ndeshje, pasi të treja janë finale për Shqipërinë. Sa i përket sulmuesit më të rrezikshëm të Italisë, sipas Ajetit ai është Scamacca.
Si ndihesh që je grumbulluar për të dytën herë në Europian? “Shumë mirë, besoj se çdo lojtar që është grumbulluar ndjehet mirë është diçka speciale.”
Çfarë do bësh ndryshe në këtë Europian dhe a do kesh më shumë minuta në dispozicion? “Nuk e di çfarë do bëj ndryshe, unë mundohem gjithmonë të jem pranë ekipit. A do luajë apo jo e vendos trajneri, unë do e mbështes Kombëtaren si në fushë ashtu edhe jashtë saj. “
Gjatë sezonit kem pasur dëmtime, a je 100% gati? “Po, dëmtimet janë pjesë e futbollit. Unë besoj se jam përgatitur mirë dhe miqësoret kanë qenë të rëndësishme për mua dhe besoj se jam gati.”
A shpresoni që do keni rezultat pozitiv? “Shpresat janë që për çdo ndeshje të jemi mirë, në futboll mund të ndodhë gjithçka. Ne do të japim maksimumin dhe si në ndeshjen e parë dhe të fundit ne do të japim maksimumin.”
Si kanë rezultuar analizat e kundërshtarëve, cilit i duhet kushtuar më shumë vëmendje? “E kemi analizuar të gjithë ekipin e italianëve, në ditët e ardhshme sot e nesër do t’i shohim edhe specifikisht sulmuesit.”
Sulmuesi më i rrezikshëm i Italisë? “Çdo sulmues duhet parë me kujdes, pasi kanë lojtarë me cilësi të lartë. Besoj se Scamacca për momentin është shumë i rrezikshëm, por duhet parë çdo lojtar.”
Italia kampionia në fuqi, si e përjetoni që do ndesheni me të në takimin e parë? “Europiani është gjithmonë i veçantë dhe besoj se çdo lojtar e ka ëndërr që të jetë njëherë pjesë e Europianit. Është diçka shumë e veçantë, duhet të japim maksimumin.”
Besoni për ecuri pozitive? “Ne i besojmë vetes, ekipit dhe çdo lojtari që është i grumbulluar, ne do japim maksimumin, pastaj do të shohim.”
Grupi i ferrit: “Kemi tre finale, çdo ndeshje është speciale për ne. Do jetë e vështirë dhe shpresojmë të bëjmë diçka të veçantë”.
A është kjo skuadër më e fortë se ajo e 2016? “Nuk di të them nëse skuadra është më e fortë, por kemi shumë cilësi dhe shumë lojtarë vijnë nga ekipe të mëdha. Kualiteti duket në ekip, pasi kemi lojtarë shumë në formë.”
Këshilla lojtarëve që janë për herë të parë në Europian: “Është e veçantë edhe për ne edhe pse është hera e dytë. Do të jetë sërish e veçantë, pasi nuk përshkruhet me fjalë. Emocionet janë të ndryshme, ndonëse është e dyta herë. Ne mundohemi të mbështetim çdo lojtar edhe më të ri.”
I keni bërë llogaritë këtë edicion, si i mendoni? “Llogaritë nuk i kemi bërë, ne do të shohim ndeshje pas ndeshje. Kemi të parën me Italinë dhe më pas do të shohim më tutje.
A keni presion për rezultate pozitive pas përkrahjes së shumë tifozëve që gjetët në Gjermani? “Presioni është normal në futboll si në ekipe ashtu edhe në Kombëtare, por në Kombëtare ndihesh më krenar kur shikon në ndeshje dhe në stërvitje si na pritën tifozët. Besoj se janë një motiv më shumë për këtë Europian.”
Më cilin prej lojtarëve ke raport më të mirë? “Me të gjithë kemi raport shumë të mirë dhe besoj se ajo gjë na ka ndihmuar edhe në kualifikuese. Secili mundohet që të ndihmoj njëri-tjetrin. Me të gjithë kam marrëdhënie të mirë edhe pse duhet ta them që me Beratin kam më shumë kohë që luajmë në Kombëtare, por me të gjithë kemi raport të mirë.”
Cila skuadër të jep më shumë siguri ajo e 2016 apo kjo sot? “Në 2016 isha mes më të rinjve, por kisha mbështetjen e Canës, teksa tani jam unë me më shumë eksperiencë, por ka të rinj të talentuar. Nuk di t’i ndaj.”/ Super Sport
Top Channel