“Komunist, ma neverit”/ Diskutimet për Himarën përplasin ashpër Vangjel Dulen dhe Pëllumb Xhufin, ky i fundit largohet nga studio: E fundit…

11/06/2024 10:50

Pëllumb Xhufi, teksa foli në “Zona Zero” në Top News për çështjen e Fredi Belerit, u përfshi në një debat me Vangjel Dulen.

Dule tha se i takon secilit të vetëdeklarohet se çfarë kombësie i përket, ndërkohë Xhufi ka mbajtur një pozicion krejtësisht të kundërt, duke thënë se çështja e kombësisë i takon rrethanave që përcaktohen nga faktet historike. Më pas situata ka agravuar në debat të ashpër mes tyre.

Xhufi: Padyshim që e ka përdorur qeveria greke këtë rast, edhe për ta përdorur problemin e Himarës, e kanë pranuar vetë një gjë të tillë. Vetë Beleri në gjykimin tim është një nga ato provokacionet që Greqia i ka bërë me Shqipërinë vazhdimisht. Në rastin e tij, është mundësia e fundit para se Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së, që Himara të quhet një minoritet grek. Kur ne historianët që merremi, ne na ngrihen qimet përpjetë kur dëgjojmë gjëra të tilla, sepse Himara ka qenë një nga vatrat e Shqipërisë. Vatrat e shqiptarizmit kanë lëvizur vazhdimisht, ka qenë Kruja, Korça…dhe Himara.

Dule: Himara është një vend i vogël gjeografikisht por me histori të madhe dhe të lavdishme. Himara ka qenë me mëvetësi dhe në kohën e Perandorisë Osmane, për shkak të betejave të saj heroike. Himara në periudha të veçanta historike ka pasur një rëndësi nevralgjike, komunikimet me Venedikun, Spanjën, Rusinë janë dëshmi…Nuk duhet të harrojmë edhe historinë e pasluftës së dytë botërore. Himara i rezistoi me votë vendosjes së regjimit komunist. Por nga ana tjetër kemi edhe betejën e pas viteve ’90. Si e drejta e zgjedhjes, nuk është hera e parë me Belerin. Ju ngrihen qimet e kokës se vetëidentifikohen si grekë.

Zeka: A ekziston çështja çame për ju?

Dule: Nuk duhet të dalim në teza inekzistente. Fituesit e luftës së Dytë Botërore, i dhanë secilit hakun sipas kontributit pozitiv dhe negativ në atë moment të historisë. Kushdo që është ndjerë si padrejtësi ka pasur mundësi të animimit të tyre.

Xhufi: Shqipëria konsiderohet sot në tekstet botërore, si një nga katër vendet që ka bërë rezistencën më të madhe ndaj nazi-fashistëve. Një tjetër historian e fut Shqipërinë në vendet që kanë patur më shumë viktima, edhe më shumë se Rusia në raport me popullsinë. Greqinë nuk e mbështetën për çështjen e “vorio epirit”. Kufijtë e Shqipërisë mbas 13-ës nuk janë vënë asnjëherë në pikëpyetje. Në këtë aspekt, të mos luajmë me historinë. Mitsotakis kërkoi që në Shqipëri të quheshin minoritarë të gjithë ata që ndiheshin grekë. Por nuk ia lejoi askush se kombësia është çështje fati. Kjo ishte një nga 6 pikat e tij. Ne jemi vend i rrallë që kemi mbrojtur të drejtat e minoritetit që pas luftës botërore, kemi hyrë duke njohur dy minoritete.

Dule: Mentaliteti i Xhufit është komunist, mua më neverit. Të rekomandoj të lexosh konventën e të drejtave të minoriteteve.

Xhufi: Që Greqia nuk e njeh! Mitsotakis kërkonte, në një ndër 6 pikat, që minoriteti grek në Shqipëri nuk është e vërtetë që është e përqënduar në një zonë të caktuar, dhe duhet të quhen grek të gjithë ata që ndihen grekë. Por këtë nuk ta njeh as ligji ndërkombëtar sepse thotë se kombësia është çështje fakti jo dëshire. Kjo nuk është njohur as në ’13, as në Konferencën e paqes. Nuk mund të jem unë Hasan dhe të jem grek, ose të jem Vasillaq dhe të them jam turk apo nga Kosova tha ai.

Dule: Unë kam rënë dakord që në ora 21:00 duhej të largohesha.

Zeka: Po por kemi dhe 10 minuta.

Dule: Me sa durim iu dëgjova, pavarësisht se flisni kodra pas bregut (e ka për Xhufin).

Xhufi: Ti na dhe afatin që do ikësh.

Dule: Më pret studio tjetër.

Ndërkohë më parë Xhufi u shpreh se Beleri është provokimi i Greqisë, përpara anëtarësimit të Shqipërisë në BE, për sqarimin e plotë të kësaj çështjeje.

Xhufi: Padyshim që e ka përdorur qeveria greke këtë rast edhe për të nxjerrë në pah problemin e Himarës, për ta ndërkombëtarizuar. Vetë zoti Beleri në gjykimin tim është një nga ato provokacion e, që Greqia e ka bërë me Shqipërinë shpesh herë. Në rastin e tij është një mundësi e fundit përpara anëtarësimit të Shqipërisë në BE, që problemi i Himarës të zgjidhet ashtu siç është konceptuar nga politika e jashtme greke. Ashtu siç dëshirojnë që Himara të quhet një vend minoritar… ne na ngrihen qimet përpjetë kur dëgjojmë gjëra të tilla. Himara ka qenë një nga vatrat e shqiptarisë.

Top Channel