Aksion në bregdet/ AKB dhe Task Force kontrolle në Durrës për sigurinë e plazheve

10/06/2024 11:27

Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe Task Forca ndërinstitucionale kanë nisur një kontroll të gjerë në plazhin e Durrësit për të verifikuar masat e sigurisë, përfshirë dhe  respektimin e hapësirave për plazhe publike, kullat e vrojtimit dhe elementë të tjerë të rëndësishëm për një sezon të mbarë dhe të sigurt.

Kontrolli ka për qëllim të sigurojë respektimin e të gjitha standardeve dhe rregulloreve, duke ofruar plazhe të sigurta për të gjithë frekuentuesit e tyre. Gjatë kontrollit u konstatua zënia e plazheve publike jo vetëm nga subjektet private, por dhe nga qytetarët.

“Jemi këtu për t’i dhënë zë dhe figurë fuqisë së ligjit që askush nuk duhet të zërë plazhet publike dhe një thirrje për qytetarët të cilët duhet ta lejnë të lirë plazhin ashtu siç e gjetën. Nuk hasim vështirësi vetëm me privatin që zë plazhet, por dhe me qytetarët që vendosin çadrën dhe e kyçin aty duke menduar se e kanë të tyre. Pikërisht pse është plazh publik duhet të jetë në shërbim të të gjithëve”, tha Oltsen Gripshi, Koordinator i Task Forcës,

Një problematikë e mbartur dhe nga sezonet e kaluara që në jo pak raste ka sjellë dhe humbje të jetëve në det është mungesa e vrojtuesve të kualifikuar në plazhe.

“Nga Ura e dajlanit deri te Përroi i Agait kemi 152 kulla vrojtimi. Përsa i përket shqetësimit për vrojtuesit e plazhit padyshim që nuk jemi në situatën më të mirë të mundshme, po ka sigurisht dhe mungesë por jemi gjithnjë nën monitorim që ky shërbim të ofrohet 100 % në vijën bregdetare të Durrësit.”

Zbatimi i masave të sigurisë dhe respektimi i hapësirave për plazhe publike siguron që turistë të huaj dhe vendas të shijojnë qetësisht ditët e tyre të pushimeve në bregdetin tonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA