Zgjedhjet në PE, votojnë grekët! Garojnë 31 parti për 21 mandate, Mitsotakis bëri apel për pjesëmarrje

09/06/2024 13:28

Prej orës shtatë të mëngjesit janë hapur në gjithë Greqinë kutitë e votimit për zgjedhjet e kandidatëve për deputetë në PE si pjesë e procesit zgjedhor në shtetet anëtare të BE që ka nisur ditët e mëparshme dhe përfundon sot.

Në garën e Greqisë marrin pjesë 31 parti, ndërsa 21 mandatet nga gjithsej 720 që i takon vendit në Parlamentin Europian pretendohen nga 1168 kandidatë.

I shoqëruar nga bashkëpunëtorët, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis pasi ka ushtruar të drejtën e votës ka deklaruar se duhet të votojmë  për një Greqi dhe Europë të fuqishme.

 “Zgjedhjet evropiane kanë rëndësinë e tyre të veçantë, në pesë vitet e ardhshme do të merren vendime shumë të rëndësishme në Evropë. Është tepër e rëndësishme të kemi një zë të fortë grek, një përfaqësim të fortë në Parlamentin Evropian, në mënyrë që si Greqi të mund të pretendojmë sa të mundemi nga Evropa”, tha Kyriakos Mitsotakis.

Nga ana e tij lideri i partisë opozitare Syriza  Stefanos Kasselakis u ka bërër thirrje gjithë grekëve të votojnë.

 “Sot është festë e demokracisë, zgjedhim se çfarë lloj Evrope duam të kemi. Evropa ka një ndikim të madh në jetën tonë, ndaj pjesëmarrja është e nevojshme për të gjithë ne. Prandaj u bëj thirrje qytetarëve tanë që të japin 30 minuta ose më pak nga koha e tyre për të ardhur të votojnë dhe për të marrë jetën e tyre në duart e tyre”, tha Stefanos Kasselakis, lideri i partisë opozitare Syriza.

Në udhëzimet që ka dhënë ministria e Brendshme theksohet orari i mbylljes së kutive të votimeve në orën 7 të pasdites, ju rikujtohet qytetarëve se mund të votojnë me kartë identiteti , pasaportë ,lejen e qarkullimit ,  ose me librezën e sigurimeve shëndetësore si mjet identifikimi ,ndërsa pranohet edhe karta dixhitale e identitetit.

Janë rreth 9.8 milion grekë të regjistruar në listat zgjedhore të cilët mund të zgjedhin deri në katër  persona nga kandidatët e listës së partisë që preferojnë. Të drejtën e votës në zgjedhjet evropiane kanë edhe të gjithë 17-vjeçarët e lindur para dhjetorit 2007.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA