Turistët nëpër Shqipëri i shohim çdo ditë, teksa plot kuriozitet zbulojnë më shumë mbi vendin tonë.
Pas një turi disa ditor nëpër qytete të ndryshme, nga veriu në jug, disa prej tyre i takojmë edhe në Tiranë.
Disa zgjedhin që rrugëtimin e tyre ta bëjnë më të veçantë, si ky grup Italian që udhëtojnë me motorë.
“Është hera e parë që po shohim Shqipërinë dhe kemi ardhur të gjithë së bashku me motorë. Jemi nisur nga Palermo sepse ne jemi një grup motociklistash dhe zbulojmë së bashku botën. Shqipëria ishte një prej vendeve që donim të vizitonim dhe jemi vërtet të surprizuar nga ky vend kaq i bukur”, tha një turiste.
Entuziazmi nuk ju mungon teksa janë ndalur në kryeqytet për të parë pikat turistike.
“Grupi fillon prej 4 miqsh ndërsa sot jemi 2024 persona. Ajo që na karakterizon është familjariteti qe kemi me njëri tjetrin, kur kthehemi në shtëpi kthehemi si një familje. Ajo që na ka bërë përshtypje kur erdhëm në Shqipëri është se kur na shohin ne rrugë me motorë na e lirojnë rrugën dhe na lënë të kalojmë. I falënderojmë të gjithë për mikpritjen”, u shpreh një turist tjetër.
Në shkallët e piramidës takojmë sërish turistë italian, por kësaj here dy vajza që në vendin tonë i ka sjell mikja e tyre shqiptare.
“Jemi nga Italia. Hera e parë në Shqipëri. Kemi një shoqe shqiptare dhe ajo na solli që të njohim vendin e saj. Do qëndrojmë këtu për një javë. Sot jemi në Tiranë, po mendojmë të vizitojmë Beratin dhe Durrësin. Ushqimi na ka pëlqyer shumë sepse ka shumëllojshmëri, mish, perime”, thanë dy italiane.
Jehona në mediat e huaja për mrekullitë që ofron vendi ynë ka tërhequr vëmendjen e të huajve që si destinacion për të kaluar pushimet kanë zgjedhur Shqipërinë.
“Për ne është hera e parë këtu në Shqipëri. E nisëm udhëtimin tonë nga Vlora, pastaj vizituam Ksamilin, Përmetin, Gjirokastrën, Beratin dhe tani jemi në Tiranë. Do të qëndrojmë në Shqipëri për 6 javë sepse është shumë bukur. Të gjithë kanë dëshirë të vizitojnë Shqipërinë sepse duket sikur nuk ka shume turistë por kur vjen këtu e shikon që ka shumë turistë. Ajo që vërtet na pëlqen është dhe fakti që të gjithë e flasin anglishten ndryshe nga Italia dhe Franca. Gjithashtu është një vend shumë familjar, na pëlqen shumë”, tha një tjetër turiste.
Top Channel