Koreja e Jugut rifilloi transmetimet propagandistike me megafon kundër Koresë së Veriut në zonat kufitare në shenjë hakmarrjeje ndaj Veriut që dërgoi mbi 1000 balona të mbushura me mbeturina gjatë dy javëve të fundit.
Veprimi pritet të zemërojë Phenianin dhe të provokojë masa ndëshkuese ushtarake .
Në përfundim të një takimi urgjent për sigurinë ditën e sotme, zyrtarë të Koresë së Jugut njoftuan rivendosjen e altoparlantëve dhe rishpërndarjen e materialeve propagandistike.
Koreja e Jugut i hoqi megafonët nga zonat kufitare në vitin 2018, gjatë një periudhe të shkurtër angazhimi me Veriun gjatë qeverisjes së mëparshme liberale të Seulit.
Zyrtarët koreano-jugorë fajësuan Phenianin se synonte të nxiste “ankth dhe pasiguri” me dërgimin e balonave që përmbanin mbeturina dhe plehra duke nënvizuar se Koreja e Veriut do të ishte përgjegjësja e vetme në rast të përshkallëzimit të tensionenve.
Koreja e Veriut ka thënë se lëshimi i balonave u bë në kundërpërgjigje të një fushate nga kritikë dhe aktivistë të Koresë së Jugut që dërguan nga ana tjetër e kufirit balona që mbanin fletëpalosje kundër Phenianit, si edhe USB me përmbajtje të ndryshme muzikore, televizive, filmike apo letrare të Koresë së Jugut./Voa
Top Channel