Katër pengje izraelite u shpëtuan të gjallë nga robëria e Hamasit të shtunën në një operacion të befasishëm të ushtrisë izraelite në Rripin qendror të Gazës.
Pengjet, tre meshkuj dhe një vajzë, të moshës nga 21 deri në 40 vjeç u rrëmbyen tetë muaj më parë nga festivali muzikor Nova gjatë sulmeve të Hamasit më 7 tetor janë shpëtuar falë një operacioni të rrufeshëm të trupave të shtetit hebre në qendër të Gazës.
Shpëtimi i tyre u bë gjatë një “misioni kompleks dhe me rrezik të lartë” në dy ndërtesa të veçanta në zonën e Nuseiratit. Të katërt ata janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Zëdhënësi i forcave izraelite të mbrojtjes, IDF, Daniel Hagari pohoi se misioni ishte bazuar në “informacione shumë të sakta inteligjence”. Noa Argamani, 25 vjeç, një shtetase izraelite me origjinë kineze, qe shfaqur në njërën prej videoeve rrëqethëse nga sulmi i 7 tetorit, teksa i kërkonte sulmuesve të mos e vrisnin.
Andrei Kozlov, 27 vjeç, një rus i cili ishte transferuar në Izrael në vitin 2022, po punonte si roje sigurie në festival kur u rrëmbye. Almog Meir Jan ishte kapur së bashku me një shok teksa ishin përpjekur të largoheshin nga festivali me makinë, ndërsa Shlomi Ziv ishte dhe ai pjese organizimeve të sigurisë në eventin muzikor.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë sakaq deklaroi se me dhjetëra njerëz, përfshirë fëmijë, janë vrarë dhe plagosur përgjatë operacionit izraelit. Një shpëtim i tillë i pengjeve ka ndodhur relativisht rrallë në luftën tashmë tetëmujore mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë.
Top Channel