Dy të rinj kanë mbetur të plagosur gjatë një sherri natën e kaluar në Mal të Robit. Policia njoftoi se ka arrestuar dy shtetasit nga Kavaja.
Manuel Gjoni, 26 vjeç, dhe Gelsi Gjeci, 33 vjeç, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Sherri ka nisur mes dy personave dhe më pas në të janë përfshirë dhe persona të tjerë duke përfunduar në përdorim thike dhe mjetesh të forta. Njëri prej të arrestuarve është dëmtuar gjatë sherrit.
Nga hetimet e para dyshohet se natën e së shtunës, rreth orës 23:30, në vendin e quajtur “Mali i Robit”, gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasi Manuel Gjoni është konfliktuar me shtetasin A. Gj. dhe gjatë konfliktit e ka goditur këtë shtetas, me mjet prerës thikë.
Në konflikt ka ndërhyrë edhe shtetasi Gelsi Gjeci, i cili ka dëmtuar me mjete të forta, shtetasin M. Gjoni, si dhe më pas ka goditur me mjet të mprehtë thikë, shtetasin S. A., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, sigurimin e provave, si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë konflikt.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel