Dhjetëra miliona njerëz në të gjithë Bashkimin Evropian po votojnë sot për Parlamentin e ri Europian. Këto zgjedhje pritet të zhvendosin bllokun më në të djathtë dhe potencialisht t’i japin një tjetër drejtim Bashkimit Evropian. Lufta në Ukrainë, ndikimi i politikave klimatike te fermerët dhe migrimi janë disa nga shqetësimet kryesore të zgjedhësve teksa hedhin votat për 720 anëtarët e Parlamentit Evropian. Rezultatet zyrtare të votimeve nuk mund të publikohen përpara se qendrat e fundit të votimit të mbyllen në Itali në orën 23:00. Sidoqoftë, disa të dhëna do të publikohen nga vetë Parlamenti Evropian në orën 14:30 sot.

Parlamenti Evropian në Bruksel u mbulua me pankarta që nxisin qytetarët të votojnë të dielën, në ditën e fundit të zgjedhjeve katër-ditore. Të dielën votohet në 21 vende të BE-së, përfshirë Francën dhe Gjermaninë.

Në Francë, ndërsa udhëheqësja e të djathtës së vijë së ashpër Marine Le Pen nuk është në listën e kandidatëve, ajo pritet të dalë fituesja kryesore e këtyre zgjedhjeve. Sondazhet e nxjerrin partinë e saj “Tubimi Kombëtar” si fituese me 33% të votave. Partia rivale “Rilindja” e Presidentit Emmanuel Macron, sipas sondazheve, mund të marrë mbi 14% ndërsa socialistët francezë pritet të fitojnë 13% të votave.

“Vota ime ka të bëjë me luftën në Ukrainë. Një pyetje e mirë është kush mund të na nxjerrë nga kjo luftë? Unë nuk mendoj se dikush mundet. Por nëse kemi një Evropë të fortë, atëherë ndoshta do të arrijmë në atë pikë”, thotë Marie Toberghien, votuese franceze.

Zgjedhjet do të ndikojnë mënyrën se si Bashkimi Evropian, një bllok prej 450 milionë qytetarësh, përballet me sfidat. Ndër sfidat kryesore renditen veprimet armiqësore nga Rusia, rivaliteti i shtuar industrial nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara, ndryshimet klimatike dhe imigracion.

Në të gjithë Evropën, idetë nacionaliste kundër emigracionit që zonja Le Pen ka mbrojtur prej kohësh po fitojnë terren.

Në Itali, partia e Kryeministres Giorgia Meloni gjithashtu pritet të sigurojë fitore.

“Shpresoj se Evropa do të ndryshojë sepse ajo që kemi parë deri tani nuk ka qenë një Evropë për Evropën. Ne kurrë nuk kemi qenë ‘Shtetet e Bashkuara të Evropës’ pasi të gjithë mendojnë për interesat e tyre. Por, tani keni një Bashkim Evropian që na udhëheq, prandaj nuk e kuptoj pse duhet të vazhdojmë me këtë Evropë”, thotë Paolo Taddeo, banor i Romës.

Që nga zgjedhjet e fundit të BE-së në vitin 2019, partitë populiste ose të të djathës së skajshme tani udhëheqin qeveritë në tre shtete: Hungari, Sllovaki dhe Itali. Disa parti të ngjashme janë pjesë e koalicionit qeverisës në vende si Suedi, Finlandë dhe, së shpejti pritet edhe në Holandë. Anketimet u japin populistëve një avantazh edhe në Belgjikë dhe Austri.

Greqia është vendi me pikëpamjet pozitive më të pakta për Bashkimin Evropian. Sipas një sondazhi 53% të grekëve kanë qëndrim negativ për BE-në. Një tjetër sondazh thotë se grekët gjithashtu kanë fare pak interes për të marrë pjesë në këto zgjedhje.

Nisur nga kjo, Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis iu kërkoi grekëve të marrin pjesë në këto zgjedhje në mënyrë që Greqia të ketë një zë të fortë në Parlamentin Evropian.

“Në pesë vitet e ardhshme do të merren vendime shumë të rëndësishme në Evropë dhe është shumë e rëndësishme që të ketë një zë të fortë grek në Parlamentin Evropian, në mënyrë që Greqia të marrë sa më shumë nga Evropa”, tha zoti Mitsotakis pasi hodhi votën e tij.

Sondazhet parashikojnë se liberalët pro-evropianë dhe të Gjelbrit do të humbasin vende, duke tkurrur shumicën e qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë. Kjo do të vështirësojë përpjekjet për të miratuar ligjet e reja të BE-së.

Grupi ‘Partia Popullore Evropiane’ e qendrës së djathtë parashikohet të mbetet grupi më i madh i Parlamentit Evropian. Kjo e vendos kandidaten e tij, kryetaren aktuale të Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, në pozitë të favorshme për t’u riemëruar për një mandat të dytë.

Megjithatë, ajo mund të ketë nevojë për mbështetje nga disa nacionalistë të krahut të djathtë, si Vëllezërit e Italisë së kryeministres Giorgia Meloni, për të siguruar një shumicë parlamentare, duke i dhënë zonjës Meloni dhe aleatëve mundësinë për të fuqizuar pozitën e tyre.

Rezultatet zyrtare të votimeve nuk mund të publikohen përpara se qendrat e fundit të votimit të mbyllen në Itali në orën 23:00. Sidoqoftë, disa të dhëna do të publikohen nga vetë Parlamenti Evropian në orën 14:30 sot./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA