Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka pësuar dëmtime të lehta në qafë nga goditjet pasi u sulmua nga një burrë në qendër të Kopenhagës, tha zyra e saj e shtypit.
Një 39-vjeçar do të paraqitet për t’u marrë në pyetje para një gjyqtari në lidhje me sulmin.
Frederiksen, një socialdemokrate, e cila ka qenë kryeministre që nga viti 2019 dhe është cilësuar si pretendente për një post të lartë në BE, u dërgua në spital për një kontroll dhe ngjarjet e saj zyrtare për të shtunën janë anuluar, tha zyra e kryeminstres.
Sulmi i të premtes erdhi dy ditë përpara se votuesit danezë të shkojnë në qendrat e votimit në zgjedhjet evropiane, dhe pas disa incidenteve të dhunës kundër politikanëve në Evropë .
Në maj, kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, u qëllua dhe u plagos rëndë. Një anëtar i Parlamentit Evropian nga Partia Social Demokrate (SPD) e Gjermanisë u godit teksa vendoste postera në Dresden. Një senator gjerman u dërgua për pak kohë në spital pasi u godit në kokë.
Të martën, një kandidat për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa für Deutschland (AfD) u godit me thikë në qytetin jugperëndimor të Gjermanisë, Mannheim.
Udhëheqësit evropianë dënuan sulmin në Danimarkë. Presidenti francez, Emmanuel Macron , e quajti sulmin “të papranueshëm”.
Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, tha se ishte “thellësisht e tronditur”, ndërsa presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, tha se ishte “i tmerruar nga sulmi frikacak”.
Shefja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, gjithashtu dënoi atë që ajo e quajti një “akt të neveritshëm që shkon kundër gjithçkaje që ne besojmë dhe luftojmë në Evropë”, në një deklaratë në mediat sociale.
Frederiksen u bë kryeministrja më e re e Danimarkës në vitin 2019 dhe e mbajti postin pasi doli fitues në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2022.
Top Channel