Talibanët mbajnë goditje masive kamzhiku për 63 vetë në stadiumin e sporteve, të akuzuar për tradhti, vjedhje e ‘mungesë respekti’ (fotot)

08/06/2024 15:26

Një ceremoni masive goditjesh me thupra është mbajtur dje në një stadium futbolli nga qeveria talibane në Afganistan, për njerëz të ndaluar me akuza si tradhti bashkëshortore, largim nga shtëpia apo mungesë respekti, shkruan rrjeti ‘Daily Mail’.

Dënimet e rënda u dhanë në stadiumin Sar-e-Pul, në veri të Afganistanit për 48 burra e 15 gra, të cilët sipas dënimeve u goditën nga 15 deri në 39 herë secili.

Përveç dënimit të rëndë fizik raportohet se disa nga preh tyre u dënuan dhe me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet për krimet e tyre.

Mediat thonin se ky ishte grupi më i madh që ka marrë dënimin njëherësh që prej vitit 2021.

Mediat vendase thonin se spektatorët miratonin goditjet e thuprave, teksa një nga banorët tha për rrjetin vendas Tolo News: “Më të rinjtë mësojnë nga dënimet për krimet e kryera dhe kjo do të sjellë rënie të krimit ose aktivitetit kriminal”.

Zyrtarët e Sar-e-Pul thanë se disa nga individët që kishin marrë dënimet më të rënda ishin kapur për grabitje, tradhti bashkëshortore, praktika të mbrapshta seksuale, apo mungesë respekti.

Misioni i OKB në Afganistan (UNAMA), i cili tenton të ruajë një komunikim me talebanët, dënonte eventin, së bashku me komisionerin e të drejtave të njeriut (OHCHR).

“Jemi të trazuar nga përdorimi i gjere i dënimit trupor  nga autoritetet në Afganistan,” tha zëdhënësi i OKB Jeremy Laurence.

Ndërsa përdorimi i stadiumit të sporteve për eventin drithërues është bërë dhe herë tjetër nga zyrtarët si në rastin e ekzekutimit të një vrasësi nga vëllai i viktimës në shkurt 2021, shkruan rrjeti Radio Free Europe/Radio Liberty (RFE/RL).

Megjithë premtimet e Talibanëve për qeverisje më të moderuar se herën e parë kur ishin në pushtet, ata kanë rinisur dënimet e ashpra trupore që prej ardhjes në pushtet në gusht 2021, pas tërheqjes së papritur të SHBA dhe aleatëve të tyre nga vendi pas 20 vitesh lufte. /Daily Mail/

FOTO GALERI
1/5
Dënimet e rënda u dhanë në stadiumin Sar-e-Pul, në veri të Afganistanit për 48 burra e 15 gra, të cilët sipas dënimeve u goditën nga 15 deri në 39 herë secili.

Top Channel