OKB pritet të deklarojë se Izraeli dhe Hamasi po shkelin të drejtat e fëmijëve në konfliktin armatosur

08/06/2024 21:10

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, pritet t’i thotë Këshillit të Sigurimit javën e ardhshme, se Izraeli dhe Hamasi po shkelin të drejtat e fëmijëve në luftën e tyre për të eliminuar njëri-tjetrin.

Sekretari i Përgjithshëm harton çdo vit një listë globale të shteteve dhe milicive që kërcënojnë fëmijët. Në listën përfshihen shumë palë, që nga Ushtria e Pavarësisë Kachin në Mianmar, deri te Rusia, që u përfshi vitin e kaluar për shkak të luftës së saj në Ukrainë.

Tani Izraeli pritet të bashkohet me ta.

Sekretari António Guterres ia dërgon listën Këshillit të Sigurimit dhe më pas këshilli mund të vendosë nëse do të marrë masa. Shtetet e Bashkuara janë një nga pesë anëtarët e përhershëm të këshillit me të drejtë vetoje dhe kanë hezituar të veprojnë kundër Izraelit, aleatit të vjetër.

Një tjetër anëtar i përhershëm është Rusia dhe kur Kombet e Bashkuara futën forcat ruse në listën e zezë vitin e kaluar për vrasjen e djemve dhe vajzave dhe sulmin ndaj shkollave dhe spitaleve në Ukrainë, këshilli nuk ndërmori asnjë veprim.

Përfshirja e Izraelit këtë muaj ka të ngjarë ta sjellë atë më shumë në qendër të vëmendjes globale mbi sjelljen e tij në luftën e Gazës dhe të rrisë tensionet tashmë të larta në marrëdhëniet e tij me Kombet e Bashkuara.

Parathënia e raportit të vitit të kaluar të OKB-së, thotë se ai liston palët e përfshira në “vrasjen dhe gjymtimin e fëmijëve, përdhunimin dhe forma të tjera të dhunës seksuale të kryera ndaj fëmijëve, sulmet ndaj shkollave, spitaleve dhe personave të mbrojtur”.

Shefi i zyrës së sekretarit Guterres thirri të premten ambasadorin e Izraelit në OKB, Gilad Erdan, për ta informuar se Izraeli do të jetë në raport kur ai t’i dërgohet këshillit javën e ardhshme, u tha gazetarëve zëdhënësi i OKB-së, Stéphane Dujarric.

Në listë do të përfshihen edhe grupet militante palestineze Hamas dhe Xhihadi Islamik.

Izraeli reagoi me zemërim, duke u dërguar organizatave të lajmeve një video të ambasadorit Erdan teksa qortonte shefin e zyrës së sekretarit Guterres, i cili supozohet se ishte në anën tjetër të një telefonate, dhe e e postoi atë në rrjetin X.

“Hamasi do të vazhdojë të shfrytëzojë edhe më shumë shkollat dhe spitalet, sepse ky vendim i turpshëm i Sekretarit të Përgjithshëm vetëm sa do t’i japë Hamasit shpresë për të mbijetuar, për të zgjatur luftën dhe për të zgjatur vuajtjet”, shkroi ambasadori Erdan në një deklaratë. “Turp për të”!

Ambasadori palestinez në OKB, tha se përfshirja e Izraelit në “listën e turpit, nuk do të kthejë në jetë dhjetëra mijëra fëmijë tanë që u vranë nga Izraeli gjatë dekadave. Por, është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur”, shkroi ambasadori Riyad Mansour.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, tha se “OKB-ja e futi veten në listën e zezë të historisë sot”, pasi veprimi rriti grindjen e gjatë midis Izraelit dhe OKB-së dhe madje edhe rrjedha e zakonshme e marrëdhënieve të Izraelit me organizatën botërore, tani është e mbushur me tensione.

Zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm, zakonisht i qetë, ndryshoi tonin gjatë konferencës së tij të mesditës, kur iu kërkua të komentonte mbi zhvillimin e fundit.

“Thirrja ishte një mirësjellje e ofruar për vendet që janë renditur rishtazi në shtesën e raportit”, tha zëdhënësi Dujarric. “Publikimi i pjesshëm i atij regjistrimi në Tëitter është tronditës dhe i papranueshëm dhe sinqerisht, diçka që nuk e kam parë kurrë në 24 vjet që i shërbej kësaj organizate”.

Dënimi i vendimit të sekretarit të përgjithshëm dukej se bashkoi udhëheqjen gjithnjë e më të përçarë të Izraelit, nga zoti Netanyahu dhe ambasadori Erdan i krahut të djathtë, te anëtari centrist popullor i Kabinetit të Luftës, Benny Gantz.

Zoti Gantz citoi kryeministrin e parë të Izraelit, David Ben-Gurion, të ketë thënë “nuk ka rëndësi se çfarë thonë ‘goyim’ (jo-hebrenjtë), ajo që është e rëndësishme është se çfarë bëjnë hebrenjtë”.

Për muaj të tërë, Izraeli është përballur me kritika të ashpra ndërkombëtare për viktimat civile në Gaza dhe pikëpyetjet nëse ka bërë mjaftueshëm për t’i parandaluar ato në luftën tetë mujore. Dy sulme ajrore të fundit në Gaza vranë dhjetëra civilë.

Agjencitë e OKB-së paralajmëruan të mërkurën se mbi 1 milion palestinezë në Gaza mund të përjetojnë shkallën më të lartë të urisë nga mesi i muajit të ardhshëm, nëse armiqësitë vazhdojnë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA