Drago është 8 vjeç dhe 7 vite të jetës së tij, i ka si pjesë e Policisë së Shtetit.
Ai është trajnuar që me nuhatjen e tij të gjejë armët e zjarrit. Drago ka qenë pjesë e Gardës së Republikës gjatë kontrolleve në shumë institucione, por edhe ambiente, ku kanë marrë pjesë delegacione nga e gjithë Europa.
“Puna me Dragon është e përditshme. Drago është shumë i bindur“, tregoi instruktori i tij.
“Instituti ynë ka 63 qen. Aktualisht, po trajnojmë 5 për zbulimin e lëndëve narkotike. Por në institute kemi dhe qen për armët e vogla dhe të lehta. Për zbulimin e eksplozivit, edhe qen gjurmues dhe për patrullime. Në i mbarështojmë dhe si këlysh, i kemi në institute, ku dhe i trajnojmë. Këtë praktikë e kemi vetëm ne dhe Serbia“, u shpreh Mirash Loçi, shef i institutit për përgatitjen e qenve të Policisë.
Për Dragon dhe qen të tjerë të Policisë, sot ishte një ditë testimi. Për herë të parë në Tiranë, u organizua Demonstrim Rajonal me qentë e policisë për aftësitë në zbulimin e narkotikëve dhe armëve të zjarrit. Shoqërues të njësive të qenve të policisë nga Tirana, Sarajeva, Podgorica, Shkupi dhe Prishtina, kryen demonstrime të organizuara në disiplina të ndryshme ku demonstruan aftësitë e 4 putroshëve dhe shoqëruesve të tyre që për vite merren me trajnimin e tyre.
Top Channel