Lindjet në Japoni bien në nivel rekord! Qeveria krijon aplikacion takimesh: Inteligjenca Artificiale ju gjen burrin e ardhshëm

07/06/2024 12:29

Shkalla e lindshmërisë së Japonisë, që vijon në rënie prej vitesh me radhë, ka parë një tjetër rekord të ulët, ndaj qeveria ka shtuar përpjekjet që të rinjtë të martohen dhe të krijojnë familje.

Madje, së fundi, në Tokio, zyrtarët lokalë kanë lançuar një aplikacion takimesh, i cili është në fazat e hershme të testimit dhe do të jetë plotësisht funksional më vonë këtë vit.

“Ju lutemi përdorni si hapin e parë për të filluar ‘gjuetinë’ e martesës”, thuhet në uebfaqen e aplikacionit, duke shpjeguar më tej se sistemi i Inteligjencës Artificiale, ofrohet nga Qeveria Metropolitane e Tokios.

Përdoruesit kanë mundësi të vendosin tiparet që dëshirojnë te partneri i ardhshëm dhe më pas IA mund të sugjerojë një kandidat të përshtatshëm.

Vendi me 123.9 milionë banorë regjistroi vetëm 727.277 lindje vitin e kaluar, sipas të dhënave të reja të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies. Shkalla e fertilitetit ra nga 1.26 në 1.20, raporton CNN. Që një popullsi të mbetet e qëndrueshme, ajo ka nevojë për një normë lindshmërie prej 2.1.

Tendenca rënëse është përshpejtuar vitet e fundit , me numrin e vdekjeve që kapërcen lindjet çdo vit dhe ka shkaktuar zvogëlimin e popullsisë së përgjithshme, me pasoja për fuqinë punëtore, ekonominë, sistemin e mirëqenies dhe strukturën sociale të Japonisë.

Në vitin 2023, vendi regjistroi 1.57 milionë vdekje, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, më shumë se dyfishi i numrit të lindjeve. Edhe numri i martesave ra me 30,000 vitin e kaluar, ndërsa numri i divorceve u rrit, ndërsa sipas ekspertëve, rënia pritet të vazhdojë për të paktën disa dekada.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA