‘Kemi normalizuar tmerrin’ thotë zyrtari i ndihmës, pas sulmit të Izraelit ndaj shkollës palestineze (fotot)

07/06/2024 17:29
Dy gra ne ballkonin e shkolles se Unrwa te demtuar nga sulmi i ushtrise

Sam Rose, i agjencisë palestineze të ndihmës Unrwa, bëri komentet e vrazhda pasi sulmi qe la të paktën 33 të vdekur.

Mbulimi i përditshëm mediatik i masakrave në jug të Gazës, po bën një normalizim të tmerrit në mendjen e dëgjuesve, si dhe ka sjellë një ndjenjë fatalizmi e pamundësie në Gaza, tha për Rose rrjetin britanik The Guardian.

Ai po fliste pasi shkolla e agjencisë së ndihmës Unrwa në Nuseirat u bombardua nga forcat izrelite duke vrarë të paktën 33 njerëz, përfshi 12 gra e fëmijë. Deri tani sulmet Izraelite nuk janë mundur të ndalohen nga komuniteti ndërkombëtar megjithë kritikat sporadike nga vende të ndryshme.

“Njerëzit jetojnë në kushte të ngjeshura, të mbipopulluara, prandaj incidente të tilla shkaktojnë shumë viktima, si bombardimi natën i shkollës në Nuseirat, nga artileria izrealite”, tha zyrtari i ndihmës.

Rose, i cili është kthyer në Londër pas pesë javësh në Gaza, shtonte: “Ishin disa mijëra njerëz që strehoheshin në shkollë. Rregullat e luftës që duhet të zbatohen nga të gjitha palët, duket se nuk vlejnë për ushtrinë. Ka gjithashtu parime dallimi për objektivat, parime mase e force proporcionale”.

“Njerëzit që strehoheshin në kopshtin e shkollës ishin në kushtet më të vështira, ndërsa për sulmin me artileri nuk kishte asnjë paralajmërim, ndodhi në 2 të natës”.

“Këto skena të përsëritura të dhunës ekstreme po normalizojnë tmerrin për të gjithë njerëzimin. Në konflikte të mëparshme incidente të tilla shkaktonin zemerim të gjerë dhe reagim, ndërsa tashmë me përsëritjen e tyre të përditshme prej shtatë muajsh, tmerri po normalizohet”.

Zhvendosja e detyruar e më shumë se 1 milionë njerëzve në më pak se tre javë, civilët qe përpiqen t’i shpëtojnë  luftës, pasojat e saj dramatike humanitare, kanë sjellë një situatë jashtë kontrolli, shton Rose, “edhe pse ne përpiqemi të sillnim ndihmë në zonën e luftës”.

Ai fliste më tej për efektet psikologjike të makabritetit, te palestinezët dhe i gjithë komuniteti që ndjek ngjarjet.

“Do të ketë një ndërgjegjësim psikologjik në këtë pikë, pasi ka familje që janë zhvendosur deri në 10 herë që prej nisjes së konfliktit. Përshtatja e njerëzve me realitetin që po shikojmë në Gaza është diçka që askush nuk duhet të provojë”.

Agjencia e ndihmës Unrwa thotë se ka më shumë se 100 shkolla në Gaza, por asnjë nuk ka dhënë mësim prej 7 tetorit, teksa janë kthyer në qendra refugjatësh për ata që i largohen dhunës e luftimit.

Shkollat kanë energji elektrike dhe ujë të shkripëzuar prandaj tërheqin të larguarit. 100,000 njerëz raportohet se kanë mbetur në Rafah nga popullata e paraluftës prej 270,000.

Punonjësi shton se popullsia në Rafah arriti në më shumë se 1 milionë njerëz me nisjen fillestare të sulmeve: “Ata që erdhën si refugjatë në Rafah ishin të parët që u larguan. Shiheshin familje në anë të rrugës me sendet e tyre, dyshekët qeset e miellit, kërkonin një vend ku të vendoseshin ose të afërmit e tyre.”/TheGuardian/

FOTO GALERI
1/3
Shkolla e agjencisë së ndihmës Unrwa në Nuseirat u bombardua nga forcat izrelite duke vrarë të paktën 33 njerëz, përfshi 12 gra e fëmijë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA