Biden i kërkon falje Ukrainës për vonesën e ndihmës, ofron 225 milionë dollarë për Kievin

07/06/2024 15:51

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u takua në Paris me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, ku njoftoi një paketë të re ndihme ushtarake prej 225 milionë dollarësh për Kievin.

Biden i kërkoi për herë parë publikisht falje Ukrainës për vonesën prej disa muajsh të ndihmës ushtarake amerikane që i dha mundësi Rusisë të shënonte përparim në fushëbetejë, ndërsa Presidenti ukrainas bëri thirrje për mbështetje dypartiake ndaj Shteteve të Bashkuara, “njësoj si gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Duke folur në kryeqytetin francez, ku të dy morën pjesë në ceremonitë për 80-vjetorin e Zbarkimit të Aleatëve në Evropë, Biden i kërkoi ndjesë popullit ukrainas që për javë me radhë nuk e dinin nëse vendi do të merrte ndihmë pasi republikanët konservatorë në Kongres bllokuan ndihmën ushtarake për Ukrainën prej 61 miliardë dollarësh për 6 muaj me radhë.

Megjithatë, presidenti Biden këmbënguli se populli amerikan ishte në krah të Ukrainës. “Dhe vazhdojmë t’ju përkrahim. Plotësisht. Në mënyrë të gjithanshme”, tha ai. Zelensky falenderoi popullin amerikan për mbështetjen dhe po ashtu edhe ligjvënësit të cilët u bënë bashkë për të miratuar paketën e ndihmës që i dha mundësi Ukrainës të frenonte Rusinë të shënonte përparime gjatë javëve të fundit.

“Është shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i gjithë populli amerikan të qëndrojë krah Ukrainës si gjatë Luftës së Dytë Botërore”, tha Zelensky. “Njësoj si atëherë kur Shtetet e Bashkuara ndihmuan për të shpëtuar jetë njerëzore, për të shpëtuar Evropën. Ne presim mbështetjen tuaj të vazhdueshme për të qëndruar krah për krah nesh”, tha Zelensky .

Paketa e re e ndihmës ushtarake prej 225 milionë dollarësh e Shteteve të Bashkuara për Kievin përfshinë municion për sistemin e artilerisë reketore me lëvizshmëri të shpejtë, ose HIMARS, sisteme mortajash dhe sasi të mëdha predhash artilerie.

Presidentët Biden dhe Zelensky morën pjesë në ceremonitë për 80-vjetorin e Zbarkimit të Aleatëve në Evropë, në Normandi, në Francën veriore, së bashku me udhëheqësit evropianë që kanë mbështetur përpjekjet e Kievit në luftë.

Në një fjalim 20-minutësh të premten në Asamblenë Kombëtare, dhoma e ulët e parlamentit francez, Presidenti Zelensky hoqi paralele me sakrificat e bëra gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe luftën aktuale të vendit të tij.

“Kjo betejë është një udhëkryq,” tha Zelensky. “Një moment kur mund ta shkruajmë historinë ashtu siç duhet. Ose të bëhemi viktima të historisë siç i përshtatet … armikut tonë”./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA