Në datat 9 deri më 13 Qershor 2024, Festivali Ndërkombëtar i Filmit DEA OPEN AIR, do të zhvillojë edicionin e tij të njëmbëdhjetë në kryeqytet.
Pas pesë vitesh të suksesshme në Sarandë, DEA vjen këtë vit për herë të gjashtë edhe në Tiranë, për ta ndarë ofertën filmike dhe ekspertizën profesionale evropiane edhe me publikun, studentët dhe kineastët kryeqytetas.
Programi i mbrëmjes së konkurimit kryesor të festivalit, Filmit me Metrazh të Gjatë ofrohet në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve. Në po të njëjtin vend organizohet edhe Ceremonia zyrtare e Hapjes si edhe Mbrëmja Gala e Ndarjes së Çmimeve.
Edhe për këtë vit rëndësia e festivalit qëndron tek programi. Në garë për Çmimet DEA komisionet e përzgjedhjes paraprake kanë vendosur të përfshijnë në programin e sivjetëm gjithsej 39 filma nga 25 vende të botës, prej të cilëve 6 në Seksionin e Filmit me Metrazh të Gjatë ose konkurimin kryesor, 19 në Seksionin e Filmit të Shkurtër, 11 në Seksionin e Filmit Studentor dhe 3 në programin Cine KO, me fokus kinemanë kosovare.
Specialistët e kinemasë, drejtorët e disa festivaleve evropiane të filmit, aktorët, regjisorët, producentët, por dhe përfaqësuesit e industrisë, kritikët, studiuesit dhe gazetarët e ftuar, i japin aktivitetit gjallërinë dhe komunikimin shumëdimensional, që kinemaja gjithnjë premton dhe realizon.
Top Channel