Një helikopter e solli kryeministren e Italisë Georgia Meloni nga Rinasi në Gjadër, ku pa së bashku me kryeministrin Edi Rama ecurinë e punimeve të qendrës së akomodimit të emigrantëve.
Ndërkohë në Shëngjin gazetarët italianë u vunë në radhë për të hyrë në qendrën e pritjes.
Tashmë qendra e pritjes në brendësi të portit të Shëngjinit ka mbaruar së ndërtuari dhe është marrë në ruajtje nga pala italiane.
Gjashtë muaj nga nënshkrimi marrëveshjes në Romë me Edi Ramën, e cila prodhoi debate të forta në vendin fqinj, kryeministria Georgia Meloni mbërriti vetë në Shëngjin për të parë progresin e kësaj iniciative e cila do ti kushtojë Italisë 650 deri në 750 milionë euro gjatë pesë viteve të para.
Rama: Kështu është jeta, ka një kohë për të marrë, ka edhe një kohë për të dhënë. Fatmirësisht ne kemi pasur në radhë të parë Italinë që ka pasur mundësinë të na japë shumë. Ne nuk jemi Italia, jemi Shqipëria, por kemi mundësi të japim pak dhe këtë po bëjmë. Kështu që janë 3 mijë vende fikse, pra janë 3 mijë vende fikse, është e mbyllur me 3 mijë, që mund të akomodohen në Gjadër dhe aty do të trajtohen sipas të gjitha ligjeve dhe rregullave të Italisë demokratike, se nuk më rezulton që Italia ka probleme me të drejtat e njeriut pastaj ata që do të konsiderohen nga Italia si të pranueshëm për kërkesat për azil, do të shkojnë në Itali dhe vetëm ato vende që do të lirohen prej atyre që do të shkojnë në Itali, do të mund të rimbushen.
Meloni: Do doja të thoja që jam me të vërtetë lumtur që jam këtu, që pata rastin që t’ju takoj juve, që kryeministri Rama pati mundësinë gjithashtu të verifikonte nga afër edhe situatën e punimeve që janë duke u realizuar në kuadër të marrëveshjes së nënshkruara mes dy qeverive tona në fushën e migracionit. Është një marrëveshje novative dhe kur e kemi nënshkruar besoj e mbani mend që unë mendova dhe dëshirova fort që të shndërrohej si një model për vendet e tjera. Struktura e Gjadrit do të ketë gjithashtu edhe një funksion tjetër.
Aty ku do të ndalen edhe emigrantët që do të mbërrijnë në Shqipëri dhe do të ketë gjithashtu një zonë, një hapësirë ku do të mbahen të ashtuquajturit emigrantë, si të themi të burgosur në rast se do të kryejnë vepra penale. Sigurisht që rendi publik brenda perimetrit të qendrave do të garantohen nga autoritetet italiane dhe të dy qendrat do të jenë operative nga 1 gushti 2024.
Skeptikëve në vendin e saj se kjo marrëveshje nuk do të funksionojë kryeministria Meloni u tha.
Meloni: Ka patur nga ata që kanë ngritur kundërshti apo problematika për sa i përket kohës së realizimit të këtyre qendrave dhe mjaft parlamentarë të opozitës italiane gjithashtu e kanë ngritur sepse faktikisht para së gjithash na kanë akuzuar se po ngrinim një qendër e njëjtë si Guantanamo, por nga ana tjetër pastaj ankoheshin se punimet për realizimin e këtyre qendrave po vonoheshin, se ishin me vonese. Duam t’i bëjmë gjërat ashtu siç duhet sepse këtu kemi menduar që gjerat do të funksionojnë dhe jam e bindur që do të funksionojnë dhe kemi përuruar një fazë krejtësisht të re në menaxhimin e fluksit emigrator.
I pyetur nga Top Channel se çfarë komuniteti lokal do të përfitojë ekonomikisht kryeministri dha këtë përgjigje.
Rama: Ne nuk kemi kërkuar asnjë euro, sepse në momentin që do të kërkonim 1 euro, ne nuk do të ishim ne dhe Shqipëria nuk do të ishte ajo që është dhe që duhet të jetë, një mik dhe një aleat që është aty, pronto, në momentin kur një mik i madh dhe një aleat i madh si Italia thotë: A mund të na jepni një dorë? Çfarë do fitojë ekonomia lokale këtu nga kjo marrëveshje dhe nga fakti që siç thatë ju, këta njerëz do ushqehem, do shërbehen e të tjerë dhe natyrisht janë burimet ekonomike të zonës që do të ndihmojnë në këtë, ne nuk e kemi bërë këtë kalkulim. Ne nuk e kemi bërë këtë kalkulim, kjo është e vërteta dhe është e tmerrshme të shohësh se si kjo marrëveshje është komentuar deri dhe tek dhënia e tenderave për ndërtimin e qendrës, Malavitës shqiptare, ndërkohë që gjithçka administrohet nga pala italiane. Gjithçka!
Top Channel