I nominuari për kryeministër të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha të mërkurën se nuk e ka ndër mend të sillet si, e as nuk pret “sjelle talibane” nga ndonjë politikan tjetër, pas njoftimit të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, se do ta ngrejë çështjen e Marrëveshjes së Prespës mes dy vendeve gjatë një samiti të ardhshëm të NATO-s.
Retorika mes Shkupit dhe Athinës është ashpërsuar së voni për Marrëveshjen e Prespës, në lidhje me përdorimin e emrit kushtetues të Maqedonisë së Veriut.
Mickoski, kryetari i VMPR DPMNE-së, tha se përgjigjen për fqinjin jugor të vendit të tij e ka dhënë tashmë para disa javësh se “është e drejta e ime njerëzore se si do ta quaj shtetin tim”.
“Mendoj se është pjesë e fushatës së tyre zgjedhore. Nuk pres sjellje talibane, censurim të së drejtës themelore të njeriut. Gjithçka që përmban Marrëveshja e Prespës dhe është pjesë e sistemit tonë juridik dhe rendit kushtetues, Qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së do ta respektojë, duke përfshirë këtu edhe certifikatat për deputetë që morëm me emrin e ri të shtetit”, ka thënë Mickoski.
Çështja e zbatimit të drejtë të Marrëveshjes së Prespës u ngrit nga Greqia më 12 maj, kur presidentja e re maqedonase, Gordana Siljanovska Davkova, e bëri betimin duke e anashkaluar emrin Maqedonia e Veriut.
Nëse në samitin e NATO-s në korrik Greqia do të ngrejë çështjen për respektimin e Marrëveshjes së Prespës, Mickoski tha se mesazhi i tij do të jetë në drejtim të ndërtimit të urave të bashkëpunimit dhe miqësisë me të gjithë fqinjët.
Në një konferencë për media të mbajtur në ishullin e Kretës në prag të zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit, kryeministri grek Mitsotakis tha se “qëllimi i VMRO-DPMNE-së është që në praktikë të kontestojë emrin e vetëm për përdorim të gjithanshëm”, duke shtuar se Greqia nuk do ta pranojë këtë.
“Pres që kandidati për kryeministër të Maqedonisë së Veriut të deklarojë publikisht, në mënyrë të qartë dhe kategorike, se e respekton Marrëveshjen e Prespës, se emri i vendit të tij është Maqedonia e Veriut, ‘erga omnes’, si në përdorim të brendshëm, ashtu edhe në të jashtëm”, tha Mitsotakis.
Në vitin 2018, Shkupi dhe Athina e nënshkruan atë që njihet si Marrëveshja e Prespës, për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut.
Kjo marrëveshje u dha fund mospajtimeve shumëvjeçare mes tyre, duke ua hapur rrugën përpjekjeve të Shkupit për t’iu bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Evropian./ rel
Top Channel