Ushtria libaneze ishte sot në terren pas një sulmi me armë pranë ambasadës amerikane në kryeqytetin Beirut.
Një burrë sirian u raportua se u arrestua pasi hapi zjarr në zonën Awkar pranë ambasadës, teksa kjo e fundit raportonte se nuk kishte të lënduar mes personelit.
Një zyrtar gjyqësor tha se sulmuesi kishte tentuar sulmin për të treguar “mbështetje ndaj Gazës.”
Ambasada amerikane gjithashtu njoftonte se ndërtesa ishte bërë objekt i zjarrit të armës “nga një burrë me kombësi siriane”.
“Personel i ushtrisë erdhën shpejt në zonë për të reaguar ndaj zjarrit, duke arrestuar një person që u transportua në spital”, shkruante ambasada.
Zyrtari vendas tha për rrjetin AFP se sulmuesi ishte plagosur rëndë, ndërsa një punonjës libanez i ambasadës ishte plagosur lehtë në kokë.
Sulmuesi raportohej se vinte nga Bekaa në lindej të vendit dhe kishte qenë i vetëm.
Më vonë ushtria libaneze tha se kishte arrestuar disa të dyshuar në Bekaa tre prej të cilëve ishin të afërm të sulmuesit të dyshuar.
Kryeministri libanez Najib Mikati tha se ushtria e kishte siguruar se “situata ishte nën kontroll”, njoftonte zyra e tij.
Ambasadorja e SHBA, Lisa Johnson ishte jashtë vendit në kohën e incidentit, por zyra e saj tha: “Po kryhen hetime për rrethanat e incidentit dhe arrestimin e të përfshirëve”./AFP/
Top Channel