Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e paralajmëroi të mërkurën Gjermaninë se përdorimi i armëve gjermane nga Ukraina për të kryer sulme brenda Rusisë, do të shënonte “hap të rrezikshëm” dhe do t’i shkatërronte marrëdhëniet mes Berlinit dhe Moskës.
Së voni, Gjermania iu bashkua Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë leje Ukrainës t’i përdorë armët me rreze të gjata veprimi, me të cilat e furnizojnë ato, për të kryer sulme ndaj disa caqeve brenda Rusisë.
Putini tha se furnizimi i Ukrainës me tanke gjermane i tronditi shumë njerëz në Rusi.
“Tani, nëse ata përdorin raketa për sulme ndaj objekteve në territorin rus, marrëdhëniet Rusi-Gjermani do të shkatërrohen plotësisht”, tha Putin.
Gjermania ka qenë njëra prej mbështetësve më të mëdha të Ukrainës prej se Rusia e nisi pushtimin e saj në shkurt 2022, por deri së voni, Qeveria e kancelarit Olaf Scholz kishte ngurruar t’i jepte leje asaj për të kryer sulme brenda territorit të Rusisë.
Në muajt e fundit, Rusia ka kryer sulme të pareshtura ajrore dhe tokësore kundër Ukrainës, e cila po përballet me mungesë municioni.
Kievi i ishte lutur aleatëve ta përshpejtojnë dërgimin e municionit, si dhe ka kërkuar që t’i lejohet të përdorë armë me rreze të gjata veprimi – pasi e kishte të kufizuar përdorimin e tyre brenda territorit të Rusisë.
Më 31 maj, një zëdhënës i Qeverisë gjermane, duke konfirmuar se Ukrainës i lejohet t’i përdorë në mënyrë të kufizuar armët gjermane për sulme brenda Rusisë, tha: “Ne jemi të bindur se Ukraina ka të drejtë, me ligj ndërkombëtar, për ta mbrojtur veten kundër këtyre sulmeve”.
“Për ta bërë këtë, ajo mund t’i përdorë armët me të cilat furnizohet për këtë qëllim, në përputhje me detyrimet ligjore ndërkombëtare, përfshirë armët me të cilat e furnizojmë ne”, shtoi ai.
Top Channel