Kylian Mbappe u prezantua ditën e djeshme si lojtari më i ri i Realit të Madridit, me sulmuesin e Francës që ka zgjedhur të flasë për këtë kalim në prag të miqësores kundër Luksemburgut.
“Përpara se të nis këtë konferencë për shtyp, doja të thoja disa fjalë. Të gjithë e kanë dëgjuar lajmin, unë do të jem një lojtar i Realit të Madridit për të paktën 5 sezonet e ardhshme. Jam i lumtur, i qetësuar dhe shumë krenar për këtë zgjedhje. E shikoni buzëqeshjen time?”, ishin fjalët e para të Mbappe.
Gjithashtu, ylli dhe kapiteni i “Gjelave” zbuloi dhe kërcënimin që kishte marrë nga PSG-ja në fillim të sezonit që sapo lamë pas, që i kishte komunikuar 25-vjeçarit se nuk do të luante më.
“Më folën shumë ashpër, më thanë se nuk do të luaja më. Luis Enrique dhe Luis Campos më shpëtuan. Pa ata nuk do ta kisha parë fushën e blertë. Kjo është e vërteta dhe për këtë arsye i jam shumë mirënjohës trajnerit dhe drejtorit sportiv. Do isha një kopil po të thoja që nuk isha i lumtur te PSG-ja, por kishte gjëra që nuk më bënin të lumtur”, u shpreh francezi.
Më pas ai u ndal dhe te e ardhmja e tij te Reali, duke thënë: “Dua të falënderoj presidentin Florentino Perez që më ka besuar që nga dita një. Kam parë mesazhe nga Cristiano Ronaldo, Sergio Ramos, Iker Casillas, shokët e mi të ardhshëm, nga të gjithë dhe më kanë prekur shumë. Dua t’i falënderoj dhe ata”, përfundoi Mbappe.
Top Channel