Ushtria e Izraelit ka thënë se ka marrë vesh për vdekjen e katër pengjeve tjera që janë marrë prej Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – më 7 tetor të vitit të kaluar.
Sipas saj, katër personat janë vrarë gjatë një operacioni izraelit në Han Junis, në jug të Gazës, duke shtuar se trupat e tyre janë duke u mbajtur ende prej militantëve.
Burrat janë identifikuar si Nadav Popplewell, 51-vjeçar, Chaim Peri, 79-vjeçar, Yoram Metzger, 80-vjeçar dhe Amiram Cooper, 85-vjeçar.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, ka thënë se inteligjenca e mbledhur në javët e fundit ka çuar në këtë përfundim.
“Ne vlerësojmë që të katërtit janë vrarë në zonën e Han Junisit gjatë operacionit tonë kundër Hamasit”, ka thënë ai, pa dhënë më tepër hollësi.
Muajin e kaluar, Hamasi ka pretenduar që Nadav Popplewell ka vdekur si pasojë e një sulmi izraelit në prill.
Katër burrat janë kidnapuar në tokën izraelite, afër Rripit të Gazës, më 7 tetor.
Sipas autoriteteve izraelite, në sulmin e Hamasit atë ditë, janë vrarë 1.200 izraelitë dhe rreth 240 janë marrë peng.
Hamasi pati liruar 105 civilë përgjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor.
Për fatin e pengjeve tjera nuk dihet, por zyrtarët izraelitë besojnë që disa prej tyre kanë vdekur.
Pas sulmeve të Hamasit, Izraeli ka nisur fushatë ushtarake për të shkatërruar grupin.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 36.40 palestinezë në Gazë, kryesisht gra dhe fëmijë./ REL
Top Channel