Qeveria në rrezik? Ministrat izraelitë kërcënojnë Netanyahun: Largohemi nëse pranon propozimin për armëpushim në Gaza!

02/06/2024 09:25

Dy ministra izraelitë të ekstremit të djathtë kanë kërcënuar se do të largohen dhe do të rrëzojnë koalicionin qeverisës nëse kryeministri Benjamin Netanyahu bie dakord me propozimin e armëpushimit në Gaza, të prezantuar nga presidenti amerikan Joe Biden të premten.

Ministri i Financave Bezalel Smotrich dhe Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir u shprehën kundër arritjes së ndonjë marrëveshjeje përpara se Hamasi të shkatërrohej. Por lideri i opozitës Yair Lapid është zotuar të mbështesë qeverinë nëse Netanyahu e mbështet planin.

Vetë kryeministri këmbënguli se nuk do të ketë armëpushim të përhershëm derisa të shkatërrohen aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit dhe të lirohen të gjithë pengjet.

Propozimi tre-pjesësh i Biden do të fillonte me një armëpushim gjashtë-javor, në të cilin Forcat e Mbrojtjes të Izraelit do të tërhiqeshin nga zonat e populluara të Gazës. Marrëveshja përfundimisht do të çonte në lirimin e të gjithë pengjeve, një “ndërprerje të përhershme të armiqësive” dhe një plan të madh rindërtimi për Gazën.

Por në një postim në mediat sociale të shtunën, Smotrich tregoi se i tha Netanyahu se “nuk do të ishte pjesë e një qeverie që pajtohet me skicën e propozuar dhe i jep fund luftës pa shkatërruar Hamasin dhe pa i kthyer të gjithë pengjet”.

“Marrëveshja do të thotë fundi i luftës dhe braktisja e qëllimit për të shkatërruar Hamasin. Kjo është një marrëveshje e pamatur, e cila përbën një fitore për terrorizmin dhe një kërcënim për sigurinë e shtetit të Izraeli”, shtoi më tej Ben-Gvir.

Ai u zotua të “shpërndajë qeverinë” në vend që të pajtohet me propozimin.

Koalicioni i krahut të djathtë të Netanyahut ka një shumicë të vogël në parlament, duke u mbështetur në një mori fraksionesh, duke përfshirë partinë Otzma Yehudit e Ben-Gvir, e cila ka gjashtë vende dhe partinë e Zionizmit Fetar të Smotrich, e cila ka shtatë vende, për të ruajtur pushtetin.

Por Yair Lapid, një nga politikanët më me ndikim të opozitës izraelite, nxitoi t’i ofrojë mbështetjen e tij kryeministrit në konflikt. Partia e tij Yesh Atid ka 24 vende.

Mosmarrëveshja erdhi pasi mijëra njerëz u mblodhën në Tel Aviv, duke i bërë thirrje qeverisë izraelite të pranojë planin e propozuar të Biden. Demonstruesit kërkuan gjithashtu dorëheqjen e Netanyahut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA