Vendi ynë do të përfshihet për herë të parë në Xhiron e Italisë me vela, duke u bërë pjesë e një spektakli të bukur tradicional dhe plot adrenalinë të organizuar nga Marina Ushtarake Italiane.
Ky tur do të zhvillohet gjatë muajve qershor-korrik dhe do të ketë 10 ndalesa. Ndalesa në Durrës është parashikuar të jetë nga data 6-9 korrik.
Gara do të fillojë në Xhenova. Varkat me vela do të ndalojnë në 10 qytete turistike, 9 prej tyre në Itali dhe për herë të parë, një ndalesë e këtij turi do të jetë në Durrës.
Marina Ushtarake Italiane, me mbështetjen e Federatës Italiane të Lundrimit, organizon këtë aktivitet që shndërrohet në një spektakël të vërtetë veror.
Përfshirja e Durrësit në këtë tur u bë e mundur falë mbështetjes së kryeministrit Rama. Ajo pritet të sjellë një përvojë unike gjatë qëndrimit të barkave sportive me vela në Durrës. Gjatë një vizite zyrtare në Romë, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, mori pjesë në një takim me përfaqësues të Marinës Ushtarake dhe Ministrisë së Mbrojtjes Italiane, si dhe përfaqësues të bashkive ku do të jenë ndalesat e këtij turi.
Janë 10 etapa për 10 ekipe që garojnë në kategoritë Offshore, Inshore dhe Boards. Ky event sportiv i shërben edhe promovimit të turizmit dhe bukurive të qytetit dhe vendit tonë. Na mbetet vetëm të presim 6 korrikun kur varkat me vela do të mbërrijnë në Durrës
Top Channel