Largimi i një ministri të mbrojtjes prej një kohe të gjatë nga posti i tij nuk është asgjë e pazakontë. Por, arrestimi i pesë zyrtarëve të lartë është qartësisht më shumë se thjesht një kërkim për gjak të freskët, veçanërisht në Rusinë e Vladimir Putinit.
Pas përmbysjes shokuese, dy javë më parë, të Sergei Shoigu si ministër i mbrojtjes, një valë arrestimesh ka rrënuar pushtetin e lartë të ministrisë së mbrojtjes nën maskën e një fushate kundër korrupsionit, shkruan CNN, në një analizë për zhvillimet e fundit në Rusi.
Koha është po aq intriguese sa arrestimet dhe riorganizimi. Pas gati tre vitesh dështim në fushat e betejës në Ukrainë, në javët e fundit, Rusia ka nisur një ofensivë të suksesshme në veri, drejt Kharkivit, bashkë me fitoret në rajonin e Donbasit në lindje.
Mungesa e gjymtuar e fuqisë punëtore të Ukrainës dhe pakësimi i furnizimeve me municione, të përkeqësuara nga ngecja prej muajsh në Kongresin e SHBA për të miratuar një paketë të mbështetjes ushtarake, kanë ndihmuar po ashtu në ndryshimin e fatit të Rusisë.
Pra, pyetja është, pse po shkundet tani ministria e ngarkuar për të fituar luftën?
Analistët e përshkruajnë ministrinë e mbrojtjes si një nga më të korruptuarat në vend. Media shtetërore ruse ka njoftuar kontrata ushtarake me vlerë shuma të mëdha parash dhe ka turpëruar publikisht zyrtarët e lartë të ministrisë dhe stilin e tyre luksoz të jetesës. Por, sikurse tha një analist për CNN, ajo që ne po dëshmojmë është një “lojë komplekse policentrike”, që lidhet me kohën dhe kërkesën ekzistenciale të Putinit për fitore kundër Perëndimit.
Mesazhi i Prigozhin nga varri
Mbi këtë tronditje qëndron fantazma e Yevgeny Prigozhin, lideri i grupit mercenar Wagner, i cili më parë njihej edhe si “kuzhinieri i Putinit”.
Para vdekjes, ai ka shprehur urrejtje për Shoigun dhe gjeneralin më të lartë të Rusisë, Valery Gerasimov, duke i akuzuar ata dhe ministrinë për korrupsion dhe paaftësi.
Prigozhin udhëhoqi një rebelim në Moskë që supozohej të përfundonte me përmbysjen e Shoigu dhe Gerasimov. Në vend të kësaj, ai e vuri presidentin në një pozitë të vështirë dhe sfidoi autoritetin e tij. Putin u përgjigj duke e përshkruar Prigozhin si tradhtar dhe ia hoqi pasuritë, para se ai të vdiste në një aksident të dyshimtë avioni.
Që atëherë, Putini ka mbajtur jashtë syrit të publikut joefikasitetin e prokurimit të armëve të ministrisë, pushtimin në ngërç të Ukrainës dhe akuzat për korrupsion. Një veprim i tillë mund të vërë në dyshim autoritetin dhe forcën e tij para popullit rus.
Ndryshimet erdhën menjëherë pas festimeve të Ditës së Fitores më 9 maj, ku Putin dhe Shoigu morën pjesë krah për krah, në një pamje në dukje miqësore.
Pavarësisht shkarkimit të tij si ministër i mbrojtjes, Shoigu do të mbetet në orbitën e Putinit, pasi të vendoset në rolin e ri si sekretar i këshillit të sigurisë.
Interesat e Putinit: Ukraina
Tatiyana Stanovaya, anëtare e lartë në Carnegie Russia Eurasia Center, tha për CNN se edhe nëse Prigozhin ka pasur të drejtë për korrupsionin e zyrtarëve, nuk është kjo më e rëndësishmja. Në Rusi, tha ajo, “e drejta dhe e gabuara nuk ekzistojnë në politikë, vetëm interesat kanë rëndësi”.
Interesi i Putinit është të mbajë “shtëpinë” e tij në rregull, por, më e ngutshme, të arrijë fitoren në Ukrainë. Ministria e mbrojtjes është thelbësore për mënyrën se si përfundon ajo luftë.
Me vendosjen e Andrey Belousov, si ministër të ri të mbrojtjes, ai ka sinjalizuar se dëshiron që ministria, me buxhetin e saj të madh, të sigurojë armë më shpejt dhe më ekonomikisht.
Buxheti i Rusisë për vitin 2024 tregon se ajo po kërkon të shpenzojë 6% të PBB-së për mbrojtjen, më e larta në historinë moderne ruse, dhe do të tejkalojë shpenzimet sociale, një shenjë e tranzicionit të vendit në një ekonomi lufte.
Top Channel