Gjykata e Tiranës vendosi arrest me burg për Dorian Alinë dhe Dritan Nano, dy nga pesë të hetuarit për sulmin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, ndodhur mëngjesin e së mërkurës në zonën e ish-Bllokut.
Ndryshe nga vepra që referoi policia pas veprimeve paraprake, që ishte vrasje për shkak të detyrës e mbetur në tentativë, prokurori i akuzoi për veprën plagosje e rëndë kryer në bashkëpunim dhe për veprën “kundërshtim e goditje e gjyqtarit”, që në këtë rast si i dëmtuar është avokati Mëngjesi, që 6 vjet më parë ishte angazhuar si mbrojtës i agresorëve në një gjykim civil.
Anila Hoxha bën me dije se në kërkim vijojnë Drivald Alia, Elidon Kusaj dhe Romario Tabaku, për gjetjen e të cilëve mbetet në fuqi një shpërblim prej 20 mijë euro për këdo që disponon informacion mbi vendndodhjen e tyre. Masa e sigurisë mbajtur me dyer të mbyllura u shqyrtua nga gjyqtarja Marinela Osmani.
Prokurori i çështjes Arjan Përmeti radhiti edhe njëherë faktet dhe rolin e secilit, ku njëri transportoi dhe të tjerët goditën avokatin në momentin që ai la fëmijën në zonën e ish-Bllokut.
Duke kundërshtuar prokurorinë, avokati kujtoi se Alia ishte vetëdorëzuar, ndërsa për Dritan Nanon se ai nuk ishte në Tiranë ditën e ngjarjes që për mbrojtjen do të thotë mungesë provash
Së bashku edhe Alia edhe vjehrri i tij Nano, insistuan se nuk kanë pasur asnjë plan për ta vrarë avokatin Sokol Mëngjesi i cili vazhdon të trajtohet në spitalin e Traumës, nën kujdes intensiv.
Konflikti sipas hetimeve ndodhi pasi klienti Dritan Nano nuk pranoi të respektonte kontratën e firmosur, pasi avokati i përfaqësoi dhe fitoi në gjykatë gjyqin civil për një tokë.
Top Channel