OKB i jep fund misionit në Irak, me kërkesë të Bagdadit (fotot)

31/05/2024 19:01

Këshilli i Sigurimit të OKB me kërkesë të Bagdadit, ka vendosur largimin e misionit të tij në Irak deri në fund të vitit 2025 pas mëshumë se 20 vitesh.

Në fillim të muajit në një letër për Këshillin, kryeministri iraken Mohamed Shia al-Sudani kërkoi mbylljen e Misionit të Asistencës së Kombeve të Bashkuara në Irak.

Al-Sudani shtonte se misioni kishte kapërcyer “sfida të mëdha e të shumëllojshme” dhe se “arsyet e mbajtjes së misionit politik në Irak nuk ekzistonin më”.

Prandaj Këshilli i Sigurimit miratoi sot unanimisht mandatin e “19-muajve të fundit të misionit deri në 31 dhjetor 2025, kur ai do të ndalojë punën dhe operacionet”.

Misioni i OKB ishte vendosur aty prej vitit 2003 pas pushtimit të SHBA dhe përmbysjes së liderit Saddam Hussein.

Një rishikim strategjik i objektivave të misionit raportohet se ishte propozuar nga diplomati gjerman Volker Perthes në 2023, ku ishte përmendur dhe mbyllja si një opsion.

Meqënëse misionet e OKB duhet të kenë miratimin e vendeve pritëse, Këshilli i Sigurimit ka shprehur mbështetje për një tranzicion në partneritetin mes Irakut dhe OKB.

Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha se misioni kishte ende “punë të rëndësishme për të bërë”, pa përmendur kërkesën e vetë Bagdadit, shkruan rrjeti AFP.

FOTO GALERI
1/3
Këshilli i Sigurimit miratoi sot unanimisht mandatin e "19-muajve të fundit të misionit deri në 31 dhjetor 2025, kur ai do të ndalojë punën dhe operacionet”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA