Kënga polifonike katër-zërëshe e qytetit të Gjirokastrës njihet zyrtarisht si një prej modeleve më të përsosura të isopolifonisë në vend.
Qyteti që hezitoi për shekuj me radhë të pranojë sazet si pjesë të këngës qytetare ka arritur me fanatizëm ta mbrojë polifoninë katër-zërëshe thotë Roland Çenko, bartës e përcjellës I saj prej 45 vitesh. Dhjetëra këngë qindra vjeçare, të përcjella brez pas brezi po barten tek fëmijët e të rinjtë. Modeli i edukimit përmes polifonisë dhe valles tradicionale finalizohet me një festival lokal që këtë vit erdhi me edicionin e tij të 8-të.
“Unë e kam nisur këtë edicion në të gjitha shkollat në rang qarku. Edukimi përfshin të gjitha moshat nga klasat e para deri tek e nënta. Është një kënaqësi e madhe që të punosh me fëmijë dhe kjo më mban gjallë më nxit. Sa çohem në mëngjes mendoj tek cila shkollë duhet të vete. Unë jam shumë i kënaqur me këtë brez që e do polifoninë e kjo na nxit të gjithëve. Jam shumë i kënaqur’, tha Çenko.
Rreth 150 fëmijë nga shkollat e Gjirokastrës trajnohen prej tij për të kënduar polifoninë e qytetit.
” Është shumë mirë të këndosh. Është një talent që unë e kam të trashëguar nga gjyshi. Gjyshi këndonte me më të mëdhenjtë dhe unë kërkoja kur isha 5 vjeç të mësoja si këndohej. Tani ja merr gjyshi këndoj dhe unë”
“Mua më pëlqen shumë kënga popullore dhe pse jo mos ta vazhdojmë kulturën e Gjirokastrës dhe ta risjellim përsëri në jetë”
“Unë jam sot në këtë aktivitet për të kënduar isopolifoni. Më pëlqen shumë polifonia”.
Intonimi i zërave është diçka që kërkon praktikë të gjatë thotë Roland Çenko mjeshtër i polifonisë. Njëherazi ky i kënduar në grup rrit ndjeshmërinë, përgjegjësinë dhe mbështetjen për të tjerët.
Polifonia e Gjirokastrës e njohur ndryshe edhe si “këngë pleqërishte” ku evidentohen qartë marrësi, hedhësi, prerësi dhe isoja konfirmon sipas muzikologëve një formë shumë të vjetër të të kënduarit. Kënga qytetare e Gjirokastrës në ndryshim nga I gjithë sfondi i isopolifonisë në vend shfaq një karakter thellësisht horizontal. Polifonia shqiptare u njoh prej UNESCO-s në vitin 2005 si kryevepër e trashëgimisë gojore botërore.
Top Channel