Banorët e Fierit ankohen për gjendjen e rrugës së varrezave publike që në ditët me shi kthehet në gati e pakalueshme, duke vështirësuar përcjelljen me dinjitet të njerëzve të dashur.
Mungesa e investimeve ndër vite e ka kthyer në një rrugë të pakalueshme, ku banorët njeriun e tyre të dashur që përcjellin për në banesën e fundit, duhet ta mbajnë në krah duke ecur në një malore të vështirë. Gjatësia që duhet të mbajnë arkivolin në krah është e konsiderueshme. Kur moti prishet dhe fillojnë shirat, atëherë për këta banorë përcjellja e të ndjerit në banesën e fundit bëhet gati gati mision i pamundur.
Rruga është prej vitesh në këtë gjendje dhe banorët shprehen se kanë bërë ankesa, peticione, por zëri i tyre nuk është dëgjuar. Për këtë qëllim të vetmen rrugëzgjidhje e panë ngritjen e problemit të tyre në Fiks Fare. Rruga në malore është me disa shkallë të improvizuara, kurse rruga e makinës ndërpritet deri në një vend të caktuar dhe nuk kalohet më.
Fiksi pa nga afër rrugën e shkatërruar. Gra të moshuara që nuk e ngjisnin apo zbrisnin dot maloren me një pjerrësi të fortë. Njëzëri banorët kërkojnë zgjidhje për rrugën të paktën të gjejnë paqe në këtë vend , pra në varreza. ” Nuk e dimë se si do varrosemi këtu, se njerëzit të vijnë të të vizitojnë do mendohen njëherë mirë se këtu bie e thyen turinjtë”, shprehet një banore.
Për këtë problem Fiksi iu drejtua Bashkisë Fier. Punonjësi i drejtorisë së Taksave, Tarifave Vendore dhe Planifikimit të Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Fier pohoi se shkak për këtë gjendje të rrugës është se ende nuk është bërë shpronësimi i tokës. Inspektori Mustafa Malkaj tha se kjo gjendje është prej kohësh, por që drejtoria që ai përfaqëson merr masa për rregullimin e këtyre shkallëve sa herë ka ndonjë varrim, përsa i përket rrugës që të mund të kalojë edhe makina në parcelën e dytë janë në pritje të shpronësimeve e më pas do behët rregullimi i plotë.
Pyetjes se kur mund të mbarojë shpronësimi i tokës z. Malkaj tha shumë shpejt, por nuk dha asnjë detaj më shumë. Proces të cilin ende pas kaq kohësh nuk e kanë përfunduar duke lënë banorët e Fierit të bëjnë ‘cirk’ në varreza.
Top Channel