Avokati Sokol Mëngjesi vazhdon të jetë në gjendje të rënduar shëndetësore.
Ai vijon të jetë i intubuar në sallën e reanimacionit në spitalin e Traumës .Por gjatë ditës së sotme mjekët janë disi optimistë pasi nga një ekzaminim me skaner që është bërë gjatë ditës së sotme ka rezultuar se edema që ka në një zonë të trurit nuk ka avancuar. Çka bën që avokati të mos e ketë të nevojshme për ndërhyrje kirurgjikale.
Mjeku Gjovalin Bushi tha për mikrofonin e Top Channel se gjendja e tij shëndetësore vijon të jetë e rënduar, por stabël, dhe se 72 orët në vijim janë shumë të rëndësishme.
“Avokati u shfaq me një traumë koke. Në momentet e para ishte koshient, me kalimin e kohës çdo gjë filloj të rëndohej. Ishte shumë i axhituar dhe më pas filloi të humbiste dhe koshiencën. Në këto kushte vendosëm që pacienti të intubohej.
Nga momenti i djeshëm deri sot gjendja pothuajse është stabël, megjithëse vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. Është bërë një ndërhyrje nga neurokirurgët, dhe sot është evidentuar një rënie e edemës, dhe në këto kushte nuk ka nevojë për ndërhyrje urgjente kirurgjikale. Nga parametrat është normale, por pritet si do reagojë në orët më vonë. Presim 72 orë. Urojmë që gjendja të jetë stabël që të fillojmë ta zgjojmë. Ka pasur dhe një shtypje të pjesës së përparme të trurit dhe pacienti ishte shumë i axhituar, u shtua ënjta e trurit dhe nisi të binte koshienca dhe në këto kushte u detyruam ta intubonim”, u shpreh ai.
Ekipi i mjekëve të spitalit të Traumës neurokirurgë, anestezistë dhe imazheristë janë duke monitoruar çdo sekondë të kujdesin intensiv për të bërë të pamundurën për shëndetin e avokatit Sokol Mëngjesi dhe janë të rezervuar.
Top Channel