Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për shfuqizimin e ligjit për administrimin e parkut të Butrintit më 24 prill të këtij viti.
Sipas Gjykatës, këto pretendime të kërkuesit janë mbështetur në Konventën e Parisit, sipas së cilës shteti duhet të ruajë rolin e tij parësor për mbrojtjen dhe konservimin e pasurisë së trashëgimisë kulturore, kjo e parë edhe në këndvështrimin se Parku Kombëtar i Butrintit bën pjesë jo vetëm në trashëgiminë kuturore kombëtare, për rrjedhojë është pjesë e identitetit kombëtar, por edhe në fondin e pasurisë së trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Gjykata vlerësoi se pavarësisht transferimit të kompetencave me natyrë administrative (menaxhuese) tek Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, shteti vijon të ruajë atributet e tij sovrane për sa kohë që ruan pronësinë mbi këtë pasuri ashtu edhe administrimin indirekt, në përputhje me standardet dhe parimet kushtetuese.
Në dokumentin e siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha janë argumentet e plota të vendimit të “Kushtetueses”.
“Bazuar në dispozitat kushtetuese dhe konventore përgjegjësia e administrimit të pasurive të trashëgimisë kulturore i përket vetëm shtetit, i cili nuk ka asnjë të drejtë të kalojë administrimin e tyre fondacioneve ose OJF-ve, për sa kohë që sovrani nuk ia ka njohur dhe dhënë një të drejtë të tillë. Shtetit i takon marrja e të gjitha masave brenda burimeve të tij, duke kërkuar edhe ekspertizë e ndihmë ndërkombëtare apo duke përfshirë edhe fondacione publike ose private vetëm për mbledhjen e fondeve (charity), për të ruajtur dhe zhvilluar pasurinë kulturore. Parku i Butrintit është një pasuri kulturore e paluajtshme me vlera universale, që bën pjesë në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s dhe shteti duhet ta menaxhojë dhe administrojë duke siguruar ruajtjen e vlerave universale, përfshirë ruajtjen e kushteve të integritetit dhe autenticitetit të kësaj pasurie.”, theksohet në vendimin e Gykatës Kushtetuese.
Sipas vendimit. Marrëveshja e Administrimit që është pjesë e tij është miratuar në kundërshtim me pesë nene të Kushtetutës.
“Thënë sa më sipër, në përfundim vlerësoj se ligji nr. 50/2022, për rrjedhojë Marrëveshja e Administrimit që është pjesë e tij, janë miratuar në kundërshtim me nenet 3, 4, 5, 116 dhe 122 të Kushtetutës, si dhe nenet 4, 5 dhe 17 të Konventës së Parisit për sa kohë që kanë deleguar të drejtat sovrane të shtetit ndaj një subjekti privat, edhe pse ato janë të padelegueshme dhe të patjetërsueshme, duke qenë kompetencë vetëm e shtetit menaxhimi dhe administrimi i pasurive kulturore kombëtare me vlerë universale dhe detyrë ekskluzive e tij ruajtja dhe mbrojtja e tyre, në rastin konkret Parku i Butrintit dhe zonat arkeologjike pjesë të tij”, theksohet në vendim.
Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese
Top Channel