Ushtria izraelite ka marrë kontrollin e zonës mbrojtëse me një rëndësi shumë të madhe strategjike përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin, të njohur si Korridori Filadelfi, çka do të thotë se Izreali praktikisht, kontrollon tani të gjithë kufirin tokësor të enklavës.
Një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) u shpreh se rreth 20 tunele të përdorura nga Hamasi për të derguar kontrabandë armë në Gaza, janë gjetur brenda kësaj zone. Por TV egjiptian citoi burime që e mohonin një gjë të tillë dhe pretendojnë se shteti hebre në fakt, thjesht po përpiqet të justifikojë operacionin e tij ushtarak në Rafah.
“Në ditët e fundit, trupat e IDF vendosën kontrollin operacional në korridorin e Filadelfit, në kufirin midis Egjiptit dhe Rafah,” deklaroi zëdhënësi i IDF, kundëradmirali Daniel Hagari. Ai e përshkroi korridorin si një “vijë shpëtimi” për Hamasin, përmes të cilit grupi “kontrabandonte rregullisht armë në Rripin e Gazës” dhe shtoi se trupat izraelite po “hetonin dhe neutralizonin” tunelet e gjetura në zonë.
Por Egjipti insiston se i ka shkatërruar koridorët ndërkufitare, e kjo sipas tij, e bën kontrabandën e armëve të pamundur. Një zyrtar i lartë izraelit sakaq deklaroi se pret që lufta kundër Hamasit të zgjasë deri në fund të vitit, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për armëpushim.
“Mund të na duhen edhe 7 muaj të tjerë luftime për të forcuar suksesin tonë dhe për të arritur atë që e kemi cilësuar si shkatërrim të Hamasit”, u shpreh Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Tzachi Hanegbi. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, gjatë vizitës në Moldavi, tha se Izraelit i duhet “sa më parë të jetë e mundur” një plan post-lufte dhe se mungesa e një projekti të tillë mund të shkaktonte kaos.
“Mendoj se kjo nënvizon rëndësinë jetike për të patur një plan pas luftës sepse pa një plan të tillë, mund të mos ketë përfundim të konfliktit. Mungesa e një plani do të linte në fuqi Hamasin, çka është e papranueshme. Në të kundërt do të kemi destabiliteti dhe paligjshmëri“-u shpreh Blinken.
Top Channel