Bliheshin nga grupet kriminale, nën hetim dy personat që shisnin formularë të kartave SIM me të dhëna të falsifikuara

30/05/2024 13:48

Dy të rinj në Shkodër, janë proceduar penalisht nga policia pasi shisnin pa autorizim dhe duke falsifikuar të dhënat, karta të telefonisë celulare, të cilat dyshohet se përdoreshin nga shtetas me precedent kriminal.

Dy shtetasit: E. J., 20 vjeçe dhe F. Sh., 34 vjeç, banues në Shkodër, dyshohet se ushtronin aktivitetin e tyre në zonën e njohur si “Ish Dollari” në Shkoder dhe këta 2 shtetas iu kanë shitur pa autorizim, shtetasve të ndryshëm, karta SIM, të cilat dyshohet se janë përdorur më pas nga shtetas me precedent kriminal, për të komunikuar për veprimtari kriminale në fushën e prodhimit të minave me telekomandë, për kultivimin e bimëve narkotike dhe për veprimtari të tjera kriminale.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 79 formularë për shitjen e kartave SIM, me të dhëna të dyshuara të falsifikuara.

Dyshohet se të rinjtë i regjistronin numrat celular në emër të personave të tjerë e më pas i shisnin për shtetasit e implikuar në krim, të cilët në këtë mënyrë shmangnin gjurmimin e policisë. Prokuroria po heton për ngjarjet kriminale ku mund të jenë përdorur këto karta për komunikim apo për kryerjen e shpërthimeve përmes telefonit

Dy të rinjtë akuzohen për veprat penale “Shitja e paautorizuar e kartave SIM” dhe  “Falsifikimi i dokumenteve”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA