Autorët të cilët dhunuan me dorezë metalike avokatin Sokol Mëngjesi kanë qenë të pamaskuar.
Sipas gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, policia po verifikon kamerat në zonë për të zbuluar më shumë për ngjarjen.
Burime nga urgjenca e spitalit të Traumës thonë se nga ekzaminimet e para avokati Sokol Mëngjesi ka dy fraktura në kokë.
Pritet t’i bëhen edhe ekzaminime të tjera, pasi këto janë rezultatet e para gjatë ekzaminimit me skaner.
Avokati i Berishës, Sokol Mëngjesi po linte fëmijën në kopsht kur u rrah barbarisht nga tre persona të paidentifikuar këtë të mërkurë.
Autorët e kanë gjurmuar avokatin kur ka dalë nga banesa e tij në zonën e ish-Bllokut dhe i kanë zënë pritë.
Incidenti ndodhi rreth orës 08:30 në kopshtin 31. Autorët, që paraprakisht dyshohet se ishin tre, e qëlluan 34-vjeçarin me dorezë metalike në kokë. Avokati u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës.
Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes, ndërsa policia ka nisur kërkimet për identifikimin dhe më pas kapjen e autorëve.
Mësohet se ngjarja e rëndë ndodhi në pak sekonda, ndërsa policia ka marrë pamjet filmike në zonë për të identifikuar autorët.
Mëngjesi ushtron profesionin e avokatit prej vitesh, ndërkohë që ka zgjedhur të bëjë mbrojtjen e ish-kryeministrin Sali Berisha, në betejën ligjore me drejtësinë, pasi që prej dhjetorit të vitit të kaluar u la në arrest shtëpie pas hetimeve për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv, Partizani.
Top Channel