Ka ndërruar jetë dje ish-oficeri i Sigurimit Bujar Hoxha, i cili disa ditë më parë rrëfeu për emisionin Inside Story disa nga krimet e dyshuara të shërbimeve greke. Mësohet se Hoxha ka ndërruar jetë pas një sulmi në zemër.
Pak ditë më parë ai bëri një denoncim të forte në Top Channel për një krim konkret, vrasjen makabre të një agjenti shqiptar nga shërbimet greke.
Pjesë nga emisioni Inside Story i datës 22 maji 2024:
Shërbimet Shqiptare, përballeshin me qasje agresive edhe nga fqinjët jugorë, Greqia, shtet i cili ndër shekuj nuk i ka fshehur qëllimet ekspansioniste në trevat shqiptare.
“Greqia i përkiste një regjimi tjetër dhe absolutisht nuk kishin hequr dorë nga synimet e tyre për Shqipërinë e jugut për vorio epirin dokumentet e shumë tregojnë për ethshmërinë e zbulimit grek dhe jugosllav të cilët kanë kërkuar dhe janë vënë në shërbim të forcave të tjera siç ishin atë kohë si CIA apo shërbimi sekret anglez”, u shpreh Xhavit Shala, ekspert i sigurisë.
Fatkeqësisht, dekadat e para inteligjenca shqiptare nuk kishte thuajse asnjë të dhënë mbi veprimtarinë intensive të spiunazhit grek. Strukturat e Kundërzbulimit në Vlorë, nuk kishin pasur asnjë rezultat për të siguruar informacion për spiunazhin grek.
“Përgjithësisht agresivitetin më të madh e kemi patur te jugosllavët por grekët kishin si specifik shërbimi më të ndryshme nga jugosllavi sepse kërkojnë shumë cilësinë. Nëse jugosllavi nuk pyeste për cilësi por kush ti dilte para e rekrutonte grekët janë një cikë më tekanjozë’, u shpreh Bujar Hoxha, ish-oficer i Shërbimit Sekret Shtetëror.
Një togë me dosje e fashikuj spiunazhi të paezauruara për ndjekje operative gjendeshin mbi tryezën e punës. Pasi u analizuan një nga një të gjitha, do të kuptohej se ato nuk ishin materiale të denja për kundërzbulim. Por, kjo situatë do të ndryshonte shpejtë dhe do të niste një gjueti për spiunë grek.
Në 8 shtator të 1985 do të gjendej i ekzekutuar një nga agjentët kundërzbulues të Shërbimit Shqiptar, i njohur me pseudonimin “Arbri”. Trupi i tij u gjet nga një çoban në mes të ferrave, brenda një thesi, në gjendje thuajse të dekompozuar. Agjenti ishte ekzekutuar në mënyrë makabre. Sipas ekspertëve të asaj kohe, kjo ishte një vrasje tipike e shërbimeve greke, që eliminuan një prej agjentëve më të dalluar shqiptarë.
“Me një kosë i kishin prerë kokën dhe e kishin futur në një thes dhe e kishin hedhur në një hon që të mos zbulohej. Ai u zbulua pas një jave kur filloi trupi të dekompozohej. Do të thoja këtë që zbulimi grek tregoi egërsinë e tij ndaj agjentëve që punonin për Sigurinë e Shtetit”, u shpreh Bujar Hoxha, ish-oficer i Shërbimit Sekret Shtetëror.
Agjenti i ekzekutuar kishte hedhur një skicë të agjenturës greke në Shqipëri. Skicë që do ta çonte më tej agjenti tjetër me emrin “Zeusi”. Sigurimi Shtetëror i Vlorës kishte nisur procesin “Bregu” për zbulimin e agjentëve grekë.
“Arritëm që të futemi në lojë me zbulim grek. Jo vetëm që zbuluam rezidenturën që shtrihej në dhjetar persona por veçuam si më të rrezikshëm grupin e famshëm intelektual”, u shpreh Bujar Hoxha, ish-oficer i Shërbimit Sekret Shtetëror.
Top Channel