Inside Story
Në krahun tjetër, grupi rival nuk qëndronte duarkryq. Pas eliminimit të Santiago Malkos, Ervis Martinaj ishte ndjerë i kërcënuar dhe kishte nisur ndjekjen e ish shokut të tij për ta eliminuar.
Shtetasi Kristos Teta e njofton shtetasin Ervis Martinaj se Nardi ka ardhur në Tiranë dhe ka kontaktuar me një vajzë me qëllim që ajo ti nxjerrë në takim dy vajza të tjera. Shtetasi Ervis Martinaj komunikon me shtetasin Kristos Teta dhe e pyet në lidhje me atë vajzën që komunikon me Leonard Dukën dhe i jep porosi të bëjë kujdes se mos e shet ajo”.
Në një prej takimeve, vajza komunikon me Spanchat me lidhjen e Ervis Martinajt dhe i konfirmon se është për darkë me Leonardin dhe nuk flet dot. Ajo që Martinaj i trembej rezultoi e vërtetë. Plani i tyre ishte zbuluar, dhe ishte Duka që po përpiqej ti vinte në kurth. Vajzat, të cilat nuk identifikohen, ishin në rrezik, pasi banda Duka, sipas transkripteve të prokurorisë kishte planifikuar edhe eliminimin e tyre.
“Po më shesin mua po unë kam e marrë vesh dhe këta nuk dinë gjë fare që unë e di dhe jemi super fare. Po organizoj një takim me një femër ku dua unë po nuk duhet të merret vesh se na del personi që na tha ne. Mbasi t’ja plasim këtyre, do montojmë në makinë atë bombën, dhe kur të jenë duke ikur, do lëmë njeri ti bjerë telefonit që ti plasim dhe ato prostitutat”.
Në datat 11 dhe 12 Gusht 2020, Leonard Duka komunikonte me mikun e tij Altin Gega takimin me vajzat që do të përdoreshin si karrem. Ata përgatiten duke bërë gati armët, por takimet nuk u zhvilluan. Ishte e qartë se grupi rival hezitonte. Martinaj i trembej besueshmërisë së vajzave. Nëse plani do të ecte, mund të përfundonte në një kasaphanë edhe për vajzat të cilave do tu montohej bombë në makinë.
Top Channel