“Gjiganti” grek interesohet për “yllin” e Partizanit

29/05/2024 16:16

Maguette Gueye ishte një nga lojtarët më të spikatur në sezonin që lamë pas në Superiore. 21-vjeçari i Partizanit shënoi 6 gola në 33 ndeshjet që u aktivizua në kampionatin shqiptar (+2 asistime).

Mesfushori senegalez do të largohet nga “Demat” dhe pritet t’i sjellë klubit një shifër të majme nga operacioni i shitjes së tij. SuperSport mëson se një nga klubet që ka shfaqur interesim konkret është Panathinaikos.

Drejtuesit e klubit nga Athina kanë kërkuar informacion lidhur me Maguette që përpara ndeshjeve të “Final 4”. Teksa kanë krijuar përshtypje pozitive për cilësitë dhe potencialin e mesfushorit. I cili bën mirë të dy fazat e lojës.

20 herë kampionët e Greqisë mund të marrin hapa konkret në ditët e ardhshme për të bërë një ofertë zyrtare për afrikanin.

Drejtuesit e Partizanit e kanë shprehur në jo pak raste se për të lëshuar lojtarët që kanë nën kontratë, nuk do të kënaqen me pak, ndaj edhe për senegalezin presin një shifër të majme.

Partizani mban rekordin e transferimit më të shtrenjtë në Shqipëri. Pasi në janarin e 2023 shiti Xhuliano Skukën tek Metz, për shifrën e 1.4 milionë eurove./SuperSport

Top Channel