Finalja e Conference League! Në Athinë luhet për trofeun më të ri europian, Fiorentina-Olympiacos

29/05/2024 21:05

UEFA Conferenca League ka mbërritur në stacionin e fundit të sezonit 2023-2024, edicioni i tretë i këtij kompeticioni, me finalen e madhe Olympiacos-Fiorentina.

Në “Agia Sophia” të Athinës Fiorentina do të luajë finalen e dytë radhazi në këtë kompeticion. Ndërkohë që sezonin e kaluar u mundën në aktin final nga anglezët e West Ham, për ekipin nga Firence kjo do të jetë finalja e gjashtë europiane në histori, ku në të kaluarën ka fituar vetëm, ish-kompeticionin Kupa e Kupave në 1960-1961.

Toskanët do të kërkojnë këtë trofe europian pas 63 vitesh dhe jo vetëm, por edhe për të rikthyer te suksesi këtë klub që nuk fiton prej më shumë se dy dekadash, nga triumfi i fundit në Kupën e Italisë në sezonin 2000-2001. Fiorentina do të zbresë në Athinë me një rekord të vendosur gjatë këtij sezoni, me 13 ndeshje europiane pa humbje, 7 fitore dhe 6 barazime, ecuria më e gjatë në historinë e klubit.

Në krahun tjetër, vetëm afro 10 km larg Pireut, rekordmenët e futbollit grek, Olympiacos do të zbresin në finalen e parë europiane në histori, teksa janë bërë ekipi i dytë nga Greqia që do të luajë në një finale europiane pas Panathianaikos-it në sezonin 1970-1971.

Skuadra nga Pireu nuk ka aspak kujtime të bukura nga Italia, pasi ka humbur gjashtë nga shtatë ndeshjet e fundit kundër ekipeve italiane, por do të kërkojë të kapet fortë pas trajnerit Jose Luis Mendilibar, fituesi i UEFA Europa League edicionin e kaluar me Sevilla-n, me trajnerin spanjoll që fitoi pikërisht kundër një ekipi italian si Roma.

Mendilibar është kthyer në një “hero”, pasi e mori drejtimin e skuadrës më 22 shkurt dhe në takimet e fundit me të në krye, Olympiacos ka humbur vetëm dy herë në 12 takimet e fundit, duke fituar tetë dhe ka barazuar dy.

Sa i përket historisë, kjo është përballja e parë midis të dyja skuadrave, ndërsa për Fiorentinën, Olympiacos do të jetë kundërshtari i katërt nga Greqia, teksa më parë ka luajtur ndaj PAOK, AEK dhe OFI I Kretës me një bilanc, 6 ndeshje, 1 fitore, 4 barazime dhe 1 humbje).

Emocionet e këtij edicioni të tretë të UEFA Conference League, Olympiacos-Fiorentina do të keni mundësinë ta ndiqni drejtpërdrejtë në paketën SuperSport të Platformës DigitAlb duke filluar na ora 21:00.

 

Top Channel