Presidenti turk Rexhep Tajjip Erdoğan ka dënuar sot Kombet e Bashkuara për paaftesinë e tyre qe të ndalojnë fushatën gjenocide të Izraelit në Gaza, pas sulmit të rëndë ndaj tendës së të zhvendosurve palestinezë që shokoi opinionin botëror.
“Fryma e OKB është e vdekur për Gaza,” tha Erdoğan në një takim parlamentar të partisë së tij në pushtet Drejtësi e Zhvillim (AK) në kryeqytetin Ankara.
“OKB nuk arriti të mbrojë punonjësit e vet të ndihmës, le më pastaj të ndalojë genocidin,” tha Erdogan duke u ankuar se sistemi ndërkombëtar nuk po arrin të ndalojë masakrat në Gaza, ku më shumë se 36,000 palestinezë janë vrarë që prej 7 tetorit, mes të cilëve shumë gra e fëmijë.
“Për çfarë duhet OKB nëse nuk arrin të ndalojë një gjenocid që transmetohet direkt në televizion në shekullin e 21-të?”
Komentet e Erdogan vijnë teksa Këshilli i Sigurimit të OKB po diskutonte mbi sulmin vrasës izraelit në një kamp të zhvendosurish në perëndim të Rafah ku u vranë dje rreth 30 njerëz dhe dhjetra të tjerë u plagosën. Ushtria izraelite e kishte shpallur “të sigurt” zonën ku më shumë se 1 milionë palestinezë janë zhvendosur për t’i shpëtuar bombardimeve.
Erdoğan kritikoi gjithashtu vendet muslimane për mungesë vullneti për veprim kundër sulmeve të Izraelit.
“Botës islamike i them: për çfarë pret derisa të marrësh një vendim të përbashkët. Kur do të vendosë të veprojë kundër gjenocidit organizata e bashkëpunimit islamik?” shtoi ai.
“Izraeli nuk është vetëm një kërcënim për Gazës, pasi asnjë shtet nuk është i sigurtë nëse Izraeli nuk detyrohet të zbatojë ligjin ndërkombëtar”.
Erdoğan dënonte gjithashtu SHBA, furnizuesin më të madh të Izraelit me armatime, si dhe vendet perëndimore që akuzonte për bashkëfajësi në gjenocidin që vazhdon.
“Duart tuaja janë të njollosura me gjakun e palestinezëve. Krerët e shteteve në Evropë janë bashkëfajtorë me heshtjen e tyre në vampirizmin e Izraelit”.
Erdoğan ka nxitur shpesh vendet muslimane të veprojnë kundër Izraelit por retorika e tij nuk dhënë rezultate përveç titujve mediatikë./DailySabah/
Top Channel