Ahmeti: Do mbrojmë votën e 8 majit/ BDI akuzon koalicionin VLEN: Bashkë me VMRO-DPMNE shkelën marrëveshjen e Ohrit

29/05/2024 20:51

Fronti Evropian me në krye partinë Bashkimi Demokratik për Integrim paralajmërojnë veprime në mbrojtje të votës së 8 majit në Maqedoninë e Veriut.

Kreu i BDI, Ali Ahmeti tha se koalicioni tij mori 6 deputetë më tepër se Vlen që do të qeverisë me VMRO.

“Fronti Evropian mori 19 deputetë, ndërsa opozita 13 deputetë. Fronti Evropian doli ngadhënjyes në 20 komuna ku jetojnë dhe votojnë shqiptarët dhe komunitetet tjera, ndërsa opozita në 8. Fronti Evropian doli forca e dytë në shtet, që ndodh për herë të parë në historinë e vendit. Këto rezultate u cenuan dhe vazhdojnë të cenohen nëpërmjet një inxhinieringu zgjedhor në sytë e gjithë opinionit, vendor, rajonal dhe ndërkombëtar”, tha Ahmeti.

Deputetët e frontit ikën nga salla një ditë më herët kur do të zgjidhej kryetar i parlamentit Afrim Gashi nga koalicioni VLEN, pasi siç deklaroi Ahmeti “ndihej i fyer të qëndronte në një seancë të tillë. Ai ka akuzuar VLEN-in se me hyrjen e saj në partneritet qeverisës me VMRO-DPMNE shkel Marrëveshjen e Ohrit.

“Përkundër të gjitha argumenteve dhe numrave e rezultateve, edhe me deputetë, edhe me numra absolut votash, edhe me fitore në dy të tretat e komunave, humbësit e zgjedhjeve, pa legjitimitetin e sovranit, u nënshtruan tërësisht duke injoruar vullnetin e popullit, Marrëveshjen e Ohrit, legjitimitetin dhe pa pasur aspak respekt për ata që sollën të gjitha këto ndryshime cilësore në vendin tonë. Në këtë kontekst, qytetarët na pyesin, ç’kuptim ka demokracia në vendin tonë nëse komuniteti shumicë përcakton se kush i përfaqëson shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët dhe komunitetet tjera”, u shpreh Ahmeti.

Qeveria e re që pritet të formohet në qershor i përket një partie për të cilën Ahmeti thotë se ka udhëhequr politikat antishqiptare në Shkup.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA