Vdekja e 53-vjeçarit gjatë punës në ndërtimin e pallatit/ Arrestohet drejtuesi teknik i kompanisë, nën hetim një tjetër

28/05/2024 13:36

Një 53 vjeçar humbi jetën dy ditë më parë në vendin e punës.

Argjend Fejzullah u rrëzua nga lartësia e një pallati në ndërtim të firmës Andi Construction në zonën e Kinostudios në kryeqytet.

Ai humbi jetën menjëherë në vendin e ngjarjes. Dyshohet se shkak për ngjarjen kanë qenë mosrespektimi i rregullave të sigurisë në punë nga kompania “Andi Construction”.

Për humbjen e jetës së Argjend Fejzullahut policia arrestoi Gerald Krashi, drejtues teknik i kompanisë “Andi konstruksion” dhe vuri nën hetim Erald Cakoni, drejtues teknik i kompanisë “Kushi konstruksion”.

Ndërkohë që nga fillimi i vitit në të gjithë vendin policia ka evidentuar 20 raste të kësaj vepre penale.

Kantieret e ndërtimit shndërrohen shpesh në vendngjarje duke marrë jetë punëtorësh. Vetëm gjatë këtij maji u shënuan dy raste në Lezhë ku dy punëtorë humbën jetën. Për shkak të mosrespektimit të rregullave të ekspozuar ndaj rrezikut janë edhe kalimtarët.

Në janar të këtij viti nga shembja e skelave të një pallati në ndërtim të firmës Arlis Construcion të lënduar mbetën 2 kalimtarë.

Në të shumtën e rasteve në pranga bien inxhinierët dhe teknikët por historia vijon përsëritet duke marrë sërish jetë njerëzish që punojnë në terrene aspak të kontrolluara nga inspektoratet përgjegjëse dhe policia.

Top Channel