Balla dhe Duka kundër dhunës në stadiume dhe trukimit të ndeshjeve, nënshkruhet Memorandumi, ministri: Ndëshkime të rrepta për shkelësit

28/05/2024 14:49

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, që ka për qëllim bashkimin e forcave kundër dhunës në stadiume, përmirësimin e menaxhimit të turmës, mbrojtjen e të drejtave të të gjithë të pranishmëve që ndjekin aktivitetet sportive dhe kundër paracaktimit të rezultateve në garat sportive.

Gjithashtu Policia e Shtetit do të kujdeset për sigurinë e ekipit tonë kuqezi gjatë pjesëmarrjes në Kampionatin Europian.

Duke theksuar rëndësinë e këtij dokumenti, Ministri Balla gjatë kësaj ceremonie u shpreh se “dokumenti përmban masa konkrete për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në stadiume, përmirësimin e menaxhimit të turmës dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë të pranishmëve që ndjekin aktivitetet sportive.”

Sa i përket parandalimit dhe frenimit të fenomeneve të dhunës dhe sjelljeve antisportive, Balla vuri në dukje se “për fat të keq ndeshjet e futbollit, sidomos ato të kampionateve kombëtare, kanë qenë herë pas here dëshmitare të incidenteve të dhunshme dhe sjelljeve antisportive, që kanë cenuar imazhin e sportit dhe kanë rrezikuar jetën e tifozëve dhe lojtarëve. Ky memorandum synon të adresojë pikërisht këto probleme në mënyrë efektive dhe të qëndrueshme.”

Në memorandum parashikohet edhe bashkëpunimi në lidhje me trukimet e ndeshjeve apo fenomeneve të tjera të paligjshme.

“Nëpërmjet këtij memorandumi, Ministria e Brendshme dhe Federata Shqiptare e Futbollit angazhohen të bashkëpunojnë ngushtësisht për të hartuar dhe zbatuar politika gjithëpërfshirëse kundër dhunës dhe paracaktimit të rezultateve në garat sportive. Së bashku do të përqendrojmë forcat tona në masa parandaluese, iniciativa edukative dhe ndërgjegjësuese, si dhe në masa ndëshkimore të rrepta për shkelësit,” shtoi Ministri.

Ministri i Brendshëm është i njohur për pasionin e hershëm për sportin, e futbollin veçanërisht, dhe njihet si një ndër përkrahësit më të zjarrtë të ekipit kombëtar.

“Këtë vit, Shqipëria ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke u kualifikuar për Kampionatin Evropian. Ky është një moment krenarie për të gjithë vendin dhe një dëshmi e përpjekjeve të palodhshme të lojtarëve, trajnerëve dhe gjithë stafit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ky kualifikim na kujton rëndësinë e bashkëpunimit dhe përkushtimit të përbashkët për të arritur objektiva të mëdha”, nënvizoi Balla.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA