Partizani dështoi të fitojë titullin e dytë kampion radhazi, pasi u mposht me rezultatin minimal 1-0 nga Egnatia në finalen e titullit të zhvilluar mbrëmjen e të dielës në “Air Albania”.
Drejtuesi i të kuqve, Olsi Rama shpërtheu ndaj arbitrit në përfundim të ndeshjes, duke kritikuar jo pak anglezin Anthony Taylor, i cili ishte përzgjedhur për të vënë drejtësi në finalen e titullit në Tiranë.
“Nuk është asnjëherë mirë të humbësh një ndeshje si kjo. Kishte ardhur një arbitër që na solli edhe shiun në Tiranë. Ai kishte ardhur për pushime dhe nuk e kishte mendjen aspak te ndeshja. Nuk më pëlqeu aspak. Dha vetëm 7 minuta shtesë, ndërkohë që në pjesën e dytë u luajt shumë pak. Por ai nuk donte të rrinte edhe 30 minuta në Shqipëri. Erdhi, hëngri një drekë dhe nxitoi për të ikur”, u shpreh Rama.
Drejtori teknik i Partizanit pranoi edhe gabimet e “të kuqve”, teksa theksoi se qasja e skuadrës në pjesën e parë ishte larg pritshmërive dhe se nuk duhet toleruar një gjë e tillë.
“Edhe ne kemi gabimet tona, pasi nuk na lejohet kurrsesi të hyjmë në fushë ashtu si në pjesën e parë të finales. Ishim pa grintën dhe dëshirën e duhur. Ndryshuam në pjesën e dytë, por nuk arritëm të ndryshojmë rezultatin e ndeshjes. Do të analizojmë edhe paraqitjen tonë për të nxjerrë konkluzionet”, u shpreh Rama. /Supersport
Top Channel