Administrata shtetërore shpalos punën që bën në një javë të dedikuar me aktivitete informuese si dhe shpalos mundësitë e punësimit në institucionet publike.
Java e administratës publike nisi këtë të hënë me panairin i cili do të qëndrojë i hapur deri më 29 maj, për të vijuar deri më 31 maj me takimet mbi punën e administratës në universitete dhe me fëmijët.
“Shpeshherë puna e një funksionari publik mbyllet brenda kuadratit të një zyre, e duket sikur nga jashtë nuk kuptohet impakti i punës së administratës publike. Prandaj kemi sjell në shesh administratën, për të qënë më afër me të gjithë ata që duan të dinë më tepër për punën tonë”– u shpreh Adea Pirdeni- ministër shteti për Administratën Publike dhe Anti korrupsionin.
Shifrat flasin për një interes konstant për tu punësuar në administratën publike, me aplikime nga 15 mijë deri në 20 mijë në vit të kryera nga rreth 7000 kandidatë shqiptarë, që kalojnë në sitën e DAP-it nëse i zbatojnë apo jo kriteretet për pozicionet e lira të punës nga specialist deri në drejtues institucionesh.
“Është një numër 1183 pozicione pune, nga të cilat deri në këtë moment janë shpallur rreth 530 pozicione, që do të thotë vijojmë të ketë vende të lira. Kontrolloni në faqen e DAP-it. Të gjitha ministritë, institucionet e varësisë kanë nevojë për rekrutime.Për shkak të prurjeve që vijnë nga universitetet më shumë aplikime ka ekonomiku dhe juridiku. Profili më i vështirë për të gjetur punonjës janë gjeologji-miniera dhe veterineria. I ftoj të gjithë të aplikojnë”, u shpreh Enkela Dudushi- drejtoresha e Departamentit të Administrates Publike
Një tjetër hapësirë punësimesh është edhe përmes portalit puna.gov.al; ku veç mundësive në shtet, kërkesat e privatit janë të shumta.
‘Ministritë më të mëdha që kanë në përbërje shoqëri aksionere në administrim janë ato që ofrojnë edhe më shumë vende të lira pune, por nuk do lija pa prekur edhe industrinë e turizmit që ka shumë vende të lira me paga të larta që shkojnë mbi 1 milionë“, u shpreh Klevis Hysa- drejtor i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.
Top Channel