Raffaele Palladino paralajmëron largimin nga Monza sapo të mbyllet zyrtarisht sezoni aktual.
Trajneri 40-vjeçar, një nga më të kërkuar në tregun italian, pritet të nisë një aventurë re sezonin e ardhshëm. Në prag të raundit të fundit të kampionatit, ndaj Juventusit, vetë Palladino ka sqaruar të ardhmen e tij.
“E ardhmja? Në qershor do ta mësoni. Gjithë rrugëtimi nga sezoni i kaluar në këtë vit më bën krenar. Dy qëndrimet në elitë janë të barasvlershme me dy kampionate. Është bërë një punë e madhe, kemi qenë një familje e madhe”, nënvizoi Palladino.
Për më tepër, Palladino ka debutuar në pankinën e Monzës sezonin e kaluar pikërisht kundër Juventusit:
“Futbolli të vendos përballë situatave që të drithërojnë, besoj shumë te fati dhe nuk është rastësi që e nisa udhëtimin tim këtu me Juventusin dhe e përfundojmë këtë sezon me të njëjtin ekip.
Palladino nuk harron vitet që kaloi me Juventusin si futbollist: “Juventusi ishte një shkollë e jetës për mua: më rriti dhe më bëri të bëhesha burrë dhe futbollist, duke më nisur në një futboll të madh. Kam për ta falënderuar për gjithë jetën”.
Emri i tij është lidhur vazhdimisht me Fiorentinën, por Palladino mund të aspirojë edhe në stolin e Bolognas, për të zëvendësuar Thiago Mottan, ose të Atalantës, në rast se Gasperini largohet drejt Napoli./ Super Sport
Top Channel