Ten Haag: Ndaj City-t pa Maugire, por duam ta mbyllim sezonin me trofe

24/05/2024 08:50

Zërat e një largimi në fund të sezonit po bëhen gjithnjë e më të forta, megjithatë Eric Ten Haag nuk kërkon të mendojë për to dhe është përqendruar totalisht te finalja e FA Cup, aty ku Manchester United do të luajë derbin ndaj City-t për të ngritur lart trofeun.

Tekniku i ‘djajve të kuq” doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku refuzoi të komentojë zërat e largimit në fund të sezonit dhe u shpreh se mbrojtësi Harry Maguire nuk do të jetë në dispozicion për finalen ndaj “citizens”.

Sa e rëndësishme është kjo finale?

Gjithçka lidhet me trofetë dhe ne duhet të pranojmë se në 10 vitet e fundit janë fituar shumë pak. Për të fituar nevojiten mundësi dhe një nga mundësitë do të jetë ajo ndaj Manchester City-t në finale. Po përgatitemi që ta shfrytëzojmë sa më mirë dhe t’u dhurojmë gëzim tifozëve tanë.

Do të ketë mungesa në finale?

Harry Maguire nuk ia doli, pasi një dëmtim nuk e ka lejuar të stërvitet mirë. Megjithatë pjesa tjetër janë në formë dhe kemi rikuperuar plotësisht emra si Martial, Lindelof e Mount. Do të bëjmë edhe një stërvitje para finales, për të vendosur mbi formacionin.

Si po e përjeton Rashford lënien jashtë Europianit të Gjermanisë?

Është mirë. Po përjeton një karrierë si futbollist, që ka ngritjet dhe uljet e veta. Rëniet ndonjëherë shërbejnë si karburant për t’u kthyer më i fortë dhe kjo është ajo që shoh te Rashford. Është shumë inteligjent dhe di të menaxhojë mirë këto situata. Besoj se shumë shpejt do të flasë me këmbët e tij në fushë.

A e shpëton sezonin triumfi në FA Cup?

Jo. Është një kompeticion dhe ne jemi në finale, ndaj duam ta fitojmë. Sa i përket sezonit, kishim të tjera pritshmëri, por kemi gabuar shumë. Në momente të caktuara kemi qenë pa fat edhe me dëmtimet. Ka shumë gjëra për t’u ndryshuar, por edhe të tjera pozitive në këtë sezon.

Kjo finale mund të jetë e fundit e juaja në pankinën e Man. United. A keni menduar për merkaton nëse konfirmoheni?

Sigurisht që kam menduar për merkaton, por deri në finalen e Fa Cup, jam përqendruar vetëm te përgatitja e asaj ndeshjeje. Sa i takon të ardhmes, nuk kam asgjë për të thënë. Unë bëj punën time përsa kohë që drejtuesit më besojnë dhe u takon atyre të marrin vendimet në fund të sezonit. /Supersport

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA