“Koeman, Messi dhe tani Xavi… Sa keq i trajton legjendat Barcelona!”

24/05/2024 18:04

Barcelona shkarkoi Xavin gjatë ditës së sotme, vetëm pak ditë pasi trajneri, i shoqëruar nga presidenti Joan Laporta, njoftoi qëndrimin e tij në pankinën katalanase edhe për sezonin e ardhshëm.

Por, në futboll gjithçka ndryshon shpejt dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i gjermanit Hansi Flick si timonieri i ri i skuadrës historike iberike. Largimi i Xavit, sidomos për nga mënyra sesi erdhi, ka krijuar polemika të shumta në Spanjë. Duke lënë shumë të pakënaqur.

Trajneri i Sevillas, Quique Sanchez Flores nuk i kurseu “shigjetimet” ndaj klubit katalanas në lidhje me shkarkimin e ish-kapitenit.

Xavi është një trajner që e ndien shumë Barcelonën. Ai ka përjetuar shumë gjëra si futbollist, si dhe ka bërë një punë të mirë si trajner. I dërgoj një përqafim të ngrohtë në këto momente. 

Sigurisht që do të flas me të në vazhdim. Kemi një komunikim të rregullt me njëri-tjetrin. Nuk më pëlqen ta them, por është e çuditshme se sa keq i trajton Barcelona legjendat e veta…

Kështu ndodhi me Koeman, më pas me Messin. Dhe tani me Xavin. Do të më pëlqente që klubet t’i vlerësonin legjendat e tyre”, theksoi 59-vjeçari nga Madridi.

Top Channel