Njoftimi i Shteteve të Bashkuara këtë javë se Rusia ka dërguar në hapësirë një satelit që do të lëvizë pranë orbitës së tokës, i aftë për të inspektuar dhe shkatërruar satelitë të tjerë, është kundërshtuar nga Kremlini dhe ka shkaktuar shqetësime tek ligjvënësit amerikanë.
Tensione të reja në konfliktin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në hapësirë…
“Rusia dërgoi një satelit në orbitën e ulët të Tokës, për të cilin vlerësojmë që ka mundësi të jetë një armë e aftë të sulmojë satelitë të tjetër në këtë pjesë të orbitës. Rusia e ka dërguar këtë armë të re në të njëjtën orbitë ku gjenden satelitë të qeverisë amerikane”, deklaroi zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder.
Një analist për diplomacinë në hapësirë i tha Zërit të Amerikës se ky është shembulli i fundit i sjelljes së papërgjegjshme të Rusisë në hapësirë.
“Mund të bëhet fjalë për një armë kundër satelitore, por kjo kategori satelitësh që i përket ky i fundit, njihet si satelit vëzhgues. Ai u afrohet orbitave të satelitëve të tjerë për t’i vëzhguar apo studiuar”, thotë analisti Benjamin Schmitt nga Universiteti i Pensilvanisë.
Kremlini e quajti njoftimin e Shteteve të Bashkuara një “lajm të rremë” dhe tha se do të angazhohej për bashkëpunim ndërkombëtar në hapësirë.
“Rusia do të parandalojë përpjekjet për ta shndërruar hapësirën në një sferë të re të konfrontimi të armatosur. Do të vazhdojmë të nxisim gjurmimin paqësor të hapësirës prej të cilit do të përfitojë i gjithë njerëzimi dhe në bazë të barazisë”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Në fillim të javës, Rusia dorëzoi një projekt-rezolutë në Kombe të Bashkuara që synonte të parandalonte një garë të armëve në hapësirë.
“Rezoluta synon të ri-konfirmojë detyrimet shtetërore kundër përdorimit të hapësirës për vendosjen e çfarëdo lloj arme, përfshirë armë për shkatërrim në masë”, deklaroi Ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya.
Shtetet e Bashkuara e kritikuan rezolutën, e cila nuk mori votat e nevojshme për t’u miratuar.
“E vërteta është se Rusia aktualisht ka disa armë konvencionale kundër-satelitore tashmë në orbitë, njëra prej të cilave u testua në vitin 2019. Për më shumë, Rusia vazhdimisht ka kërcënuar se satelitët që do të vendosen në shënjestër do të përfshijnë satelitët komercialë,” tha Zëvendës-Ambasador amerikan në OKB, Robert A. Wood.
Ligjvënësit amerikanë janë të shqetësuar se ky zhvillim është pjesë e problemeve më të gjëra që karakterizojnë marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Rusinë.
“Rusia së fundmi dërgoi në hapësirë një armë kundër satelitore, me kapacitet që të sulmojë satelitët amerikanë. Krimineli i luftës Putin duhet të parandalohet ndërkohë që ne përkrahim aleatët tanë”, tha ligjvënësi republikan, Joe Wilson.
“Kjo është edhe një provë se Rusia po vazhdon me taktika shumë agresive”, reagoi ligjvënësi republikan, Andy Barr.
Në nëntor të vitit 2021, Rusia testoi armët kundër satelitore, duke i lënë mbetjet e tyre në orbitë./VOA
Top Channel