VIDEO/ Duartrokitje dhe lot, Claudio Ranieri mbyll karrierën si trajner

23/05/2024 21:41

Duartrokitje dhe lot në “Unipol Domus” të Cagliarit, aty ku publiku sard dhe jo vetëm, përshëndetën përzemërsisht Claudio Ranierin, trajnerin 72-vjeçar italian, që vendosi të heqë dorë njëherë e mirë nga sporti me të cilin lidhi jetën fillimisht si mbrojtës në fushë e më pas në pankinë.

Sfida Cagliari-Fiorentina ishte e fundit në karrierë për Ranierin, që pati paralajmëruar tërheqjen fill pas sigurimit të mbijetesës në elitën e futbollit italian me klubin sard, teksa publiku i dhuroi një duartrokitje të gjatë, duke emocionuar së tepërmi Ranierin.

“Mirënjohje e përjetshme për një njeri të madh. Faleminderit Mister”, shkruanin tifozët e Cagliarit në një pankartë të shpalosur në tribunë, ku konfirmonin edhe njëherë vlerësimin maksimal për një emër si Claudio Ranieri.

Një karrierë 38-vjeçare për trajnerin e mirënjohur, i cili ka drejtuar plot 20 skuadra të ndryshme, duke nisur nga nivelet e ulëta italiane, për të vijuar me një sërë klubesh të njohura në Serinë A, përfshi edhe emrat më të mëdha si Juventus, Inter e Roma, por edhe eksperienca mjaft pozitive si në Premier League ku fitoi titullin me Leicester në mënyrë surprizë, La Liga, e kampionate të tjera.

Claudio Ranieri numëron plot 1402 ndeshje si trajner dhe shumë suksese, ku më i madhi është padyshim titulli kampion në Angli me Leicester, por edhe në Spanjë me Valencian, ku fitoi Kupën e Mbretit dhe Kupën Intertoto./ supersport

Video: https://www.supersport.al/wp-content/uploads/2024/05/ranieriii.mp4?_=1

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA